28-11-2024

Prizren: Rrënimi i tek “Abi Çarshia”, jep mbrojtjen si i akuzuar ish-drejtori i Inspektoratit

I akuzuari Islam Thaqi në mbrojtjen e tij deklaroi se në periudhën 2018-2019 ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me objektin e “Abi Çarshia” deklaroi se objekti në fjalë ishte pajisur me leje ndërtimore më 11 prill 2017 dhe se kishin munguar procedurat inspektuese për pothuajse një vit.

Ai shtoi se pas daljes në terren leja e lëshuar në krahasim me matjet dhe ndërtimin nuk kishte përputhshmëri, meqenëse 30% e ndërtimit kishte tejkalim nga leja ekzistuese.

Tutje deklaroi se procedurat e mëvonshme, pra nga 7 maj e deri më 27 gusht 2018 inspektori i lëndës i ka zhvilluar të gjitha procedurat e duhura në trajtimin e pjesës së objektit pa leje, si për shembull duke nxjerrë aktvendim për ndalim punimesh, shqiptim të gjobave mandatore, ngritje të kallëzimit penal dhe aktvendim për rrënim vullnetar.

Thaqi shtoi se 27 gushti 2018 ishte dita e daljes së ekzekutimit të dhunshëm të përcaktuar në Konkluzionin e Drejtorisë së Inspektorateve për rrënimin e pjesës së objektit që ishte ndërtuar pa leje.

Kjo ngase sipas tij, ishin shterë të gjitha mundësitë e zgjidhjes së problemit,  pasi që sipas planit rregullativ të 2012-ës, ka pasur plan që kishte paraparë hapjen e rrugës në pjesën ku ishte bërë tejkalimi i lejes ndërtimore.

Po ashtu, shtoi se në këtë datë, pas deklarimeve të vet pronarit të “Abi Çarshisë” se do ta bëjë vet rrënimin vullnetar e po ashtu pas vlerësimeve nga inspektori Bashkim Krasniqi, i është mundësuar që në afat prej 30 ditësh të bëhet rrënimi vullnetar.

Pas kësaj, ai tha se kishin pranuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) një vendim, me të cilin ishte anuluar vendimi për rrënim por kishte mbetur në fuqi vendimi për ndalim punimesh, pra se pala nuk kishte të drejtë të vazhdojë punimet më tutje.

Ai shtoi se Drejtoria e Inspektorateve e kishte respektuar në plotni vendimin e MMPH-së dhe se pas kësaj për periudhën 6 mujore sipas inspektimit nuk kishte pasur punime më tutje dhe se gjatë kësaj kohe ishin vendosur shiritat dhe është bërë shënjëzimi i objektit.

Tutje tha se më 28 mars 2019, inspektori ka konstatuar ndalesën për vazhdim të punimeve dhe se investitori ka vazhduar punimet përkundër ndalesës, e përsëri i është urdhëruar që të ndërpresë punime deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

Por, shtoi se edhe pas dy ditësh përsëri kishin vazhduar punimet, ku pas kësaj më 6 prill 2019 ka shqiptuar gjobë mandatorë e deri më 10 prill 2019, kur kishte nxjerrë aktvendim me të cilin ka obliguar investitori që t’i ndërpresë punimet.

Edhe përkundër kësaj, thotë se investitori kishte vazhduar punimet dhe më 27 qershor 2019 inspektorja Egzona Morina-Thaqi ka nxjerrë aktvendim për rrënim vullnetar në afat prej 15 ditësh.

Vendimi në fjalë thotë se nuk ishte respektuar dhe që ata kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prizren, por që ishte refuzuar e që më vonë më 15 korrik 2019, inspektorja Jetmire Vrenezi kishte nxjerrë aktvendim për rrënim të dhunshëm

I njëjti shtoi se nga Drejtoria e Urbanizimit kishin pranuar një njoftim lidhur me aplikimin për legalizim të të dëmtuarit më 19 korrik 2019, ku thuhej se akoma nuk ishin plotësuar kushtet e parapara ligjore për fillimin e procedurave të legalizimit dhe se kjo leje i ishte dhënë më vonë pra më 2020.

Në fund, deklaroi se nuk kishte dhënë pëlqim lidhur me këtë rrënim dhe shpjegoi se atë ditë pra më 19 korrik 2019 në ora 15:00 kishin filluar me rrënimin e objektit pa leje, mirëpo për shkak të errësirës kanë konstuar se duhet që të ndërpritet rrënimi dhe të vazhdojë ditëve në vijim, e që më 21 korrik 2019 zyrtari policor kishte informuar se ka urdhër që të ndërprehen punimet.

Kjo ngase sipas tij, zyrtari policor i ka thënë që prokuroria është duke hetuar këtë rast e që më datë 25 korrik 2019 kishin pranuar një aktvendim nga Gjykata Themelore në Prizren për masë të përkohshme gjë që Drejtoria e Inspektorateve e kishte respektuar këtë vendim.

I akuzuari Islam Thaqi po ashtu filloi që t’i përgjigjet pyetjeve të prokurorit Mehdi Sefa, mirëpo për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca do të vazhdojë nesër më 19 janar 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqit, Jetmire Venezit, Egzonë Morina-Thaqit, Arian Tarakut, Isë Bislimajt dhe Shqipëron Krasniqit, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se më 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj “Abi” SHPK në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e ankesit në fjalë, është në vlerë prej 69 mijë e729 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.