Aktakuzat dhe heshtja e Totajt
Gjatë qeverisjes së Haskukës ka pasur drejtor me aktakuzë – Ertan Simitçiu – i cili u largua pas presionit publik. Tani është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore për keqpërdorim të detyrës zyrtare edhe ndaj katër zyrtarëve të rëndësishëm të komunës, por kryetari Totaj po hesht.
Veprimin e tij e ka kritikuar LDK-ja në opozitë.
Informacionet flasin se janë duke u zhvilluar edhe hetime të tjera për shkelje në Komunën e Prizrenit.
Perspektiva për zgjedhjet e ardhshme
Është interesante se në vjeshtën e vitin 2021 kishte pak njerëz në Vetëvendosje që besonin se Haskuka mund të humbiste, ndërsa në PDK kishte edhe më pak që mendonin se Shaqir Totaj mund të fitonte. Për çudi, një situatë pothuajse e njëjtë po përsëritet edhe tani.
Nëse merret si referencë rezultati i zgjedhjeve të fundit ( në shkurt ), ku asnjë nga drejtorët e Totajt nuk pati guximin të kandidojë për deputet, përkundër vetëlavdërimeve për punën e bërë, ndërsa partia e kryetarit të Prizrenit doli e dyta me një diferencë prej 18 % më pak se VV-së në opozitë ( VV – 40% e PDK – 22% ), del se gara do jetë e fortë dhe Totaj e ka shumë vështirë.
Kësaj i shtohet fakti që Qeverinë qendrore e udhëheq VV dhe kjo do të reflektohet, ndërsa Totaj nuk e ka më përkrahjen e AAK-së dhe LDK-së. Nëse NISMA bëhet pjesë e Qeverisë me Kurtin, atëherë Totaj mbetet edhe një hap larg postit – për të cilin shumëkush edhe brenda partisë së tij ka pakënaqësi e kritika, duke theksuar se ai nuk ka asnjë meritë partiake, e lëre më kombëtare, meqenëse nuk ka qenë i përfshirë në asnjë segment gjatë viteve 90-ta.
Ndikim do të ketë edhe zotimi i kryeministrit Kurti në LSHP, se kësaj radhe nuk do të lejojë që dikush t’ia marrë “Prizrenin Historik”, sikur ndodhi me 2021. “Kishim shkëputje të shkurtër por po kthehemi” – ka thënë ai në maj 2024.
Në zgjedhjet lokale këtë vjeshtë, do të shihet nëse prizrenasit e “heshtur ” do ta ndëshkojnë Totajn, ashtu sikurse Haskukën.
Mbetet të shihet nëse viti 2021 ishte rastësi, apo Prizreni ka një zakon: të ndëshkojë me votë kryetarët që vetëm sillen si të tillë, por në realitet vendimmarrja nuk është në dorën e tyre. / Gazeta e Prizrenit /
Lexo edhe: