Prizren: Shkolla “Ekrem Rexha” në Lubizhdë në shënjestër të vandalëve
Persona ende të panjohur kanë dëmtuar objektet ndihmëse të SHFMU “Ekrem Rexha” në fshatin Lubizhdë të Prizrenit.
Sinjali mëson se rreth orës 11:30 të së hënës është raportuar në Polici se janë thyer dyert e sallës sportive dhe të banjës së shkollës, që ndodhen rreth 50-60 metra larg objektit kryesor.
Nga hetimet e para dyshohet se incidenti ka ndodhur gjatë fundjavës. Në vendngjarje kanë dalë hetuesit policorë dhe ekipi i forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimet.

Në dyer janë gjetur edhe panele mediapani të mbështetura, ndërsa është konstatuar se ato kanë pasur edhe dëmtime të mëhershme.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe procedurat e hetimit janë duke vazhduar.