Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për vjedhjen e pakove me çamçakëz, të llojit “orbit” në vlerë 700 euro, Menderes Kadri.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Refki Piraj, nuk kishte prova të mjaftueshme të cilat provonin se i akuzuari Kadri, ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej, raporton ”Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në këtë seancë, para se të shpallej aktgjykimi, palët kanë dhënë edhe fjalën e tyre përfundimtare.
Prokurori Shpend Binaj në fjalën përfundimtare, tha se ishte vërtetuar se i akuzuari Kadri e kishte kryer veprën penale të vjedhjes, prandaj i njëjti ka kërkuar që gjykata të akuzuarin Kadri të shpallë fajtor dhe të dënojë sipas ligjit.
Sipas tij, vërtetimi i plotë dhe i drejtë i gjendjes faktike ishte vërtetuar nga provat personale dhe materiale, si dhe nga deklarata e të dëmtuarit Jeton Ajvazi, si dhe deklarata e zyrtari policor.
Ndërkaq, i akuzuari Kadri, as në fjalën përfundimtare nuk e ka pranuar fajësinë, duke thënë se nuk kishte të bëjë me rastin që i ngarkohej, dhe se policia nuk kishte arritur të sigurojë dëshmi dhe prova konkrete, të cilat do ta bënin fajtor për këtë vepër.
Mirëpo, prokurori Binaj, lidhur me deklaratën e të akuzuarit, ka thënë se gjykata nuk duhet t’ia falë besimin, pasi sipas tij, i akuzuari këtë e bënë për t’iu shmangur veprës, dhe se i njëjti është recidivist i një mori veprash penale.
Ndryshe, Menderes Kadri, akuzohej se më 28 dhjetor 2016, në Prizren, me qëllim të përvetësimit për vete apo personin tjetër, kishte marrë pasurinë e të dëmtuarit Jeton Ajvazi.
Sipas prokurorisë, i njëjti nga automjeti i të dëmtuarit Ajvazi, pronë e kompanisë “Alma Sh.p.k” në momentin kur i dëmtuari e kishte parkuar automjetin për furnizim në një lokal, e kishte shfrytëzuar rastin duke e hapur bagazhin e veturës, dhe nga aty kishte marrë pako me orbita, të cilat sipas të dëmtuarit kapin vlerën e mbi 700 euro, i cili më pas largohet nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria të akuzuarin Kadri e ngarkonte me veprën penale të vjedhjes nga neni 325 paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.