Prizren: Shtatë ditë pasi u godit nga vetura në zebra – deputeti deklarohet për gjendjen e nipit, ka një thirrje për prokurorinë
Të enjten e 21 dhjetorit, një këmbësor në Prizren u godit në zebra nga një veturë. Gjendja e tij u raportua të jetë e rëndë. Pamjet e aksidentit i kishte publikuar deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enis Kervan, i cili rastisi që ta ketë familjar viktimën, nip. Për gjendjen e nipit të tij për Insajderin është deklaruar vet deputeti.
Kervan konfirmoi se nipit tij i duhet kohë të t’u shëruar. Tha se plagë ka pasur në kokë derisa shtoi se shpreson që gjendja të mos i përkeqësohet.
Ai është shprehur i frustruar se si prokuroria nuk i ka njoftuar për shoferin që e goditi nipin e tij. Deputeti ka kërkuar që shoferi të dënohet.
“Nipi ka shpëtuar, tash po e këqyrim sa kohë i duhet me u shëru totalisht, sepse ka lëndime në kokë e tru, por falë zotit ka shtëpu. Me kohë shpresojë që gjendja të mos i përkeqësohet, kjo është më e rëndësishmja”, deklaroi deputeti
Sipas tij secili shofer që shkakton aksident do të duhej të dënohej pavarësisht a vdes ose jo këmbësori.
“Normal që kryesorja është që ka shpëtu por a duhet veç kur vdes njeri më u dënu shoferët e tillë. Unë po mendoj që shoferi i cili është fajtor, edhe pse ka shpëtuar këmbësori duhet me u dënu, mënyrë që të marrin mësim. Në rast që ai shofer është liru unë nuk di çka me thënë. Prokuroria, neve si familje nuk na ka lajmëru kurgjo”, u shpreh Kervan.
Çka thuhej në raportin e Policisë?
Insajderi ka siguruar raportin e policisë, në natën që ka ndodhur aksidenti. Konfirmohej që S.K (emër i njohur për redaksinë) ishte shkelur në zebra. Si pasojë e mos përshtatshmërisë së shpejtësisë të shoferit që voziste veturën e tipit ‘Mercedes Benz’.
“Me datë 21.12.2023 rreth orës 00:03 min deri tek aksidenti kishte ardhur kur vozitësi me automjetin Mercedes Benz A180, ngjyrë e bardhë me targa … ishte duke lëvizur në shiritin e majtë te rrugës dy shiritore një kahore rrugës “Zahir Pajaziti’ në drejtim të rrugës “Hasan Prishtina”, me të arritur te vend kalimi i shënuar për këmbësor përballë furrës “Palma” si pasojë e vozitjes së pa kujdesshme dhe mos përshtatshmërisë se shpeshtësisë së lëvizjes me pjesën frontale të automjetit godet këmbësorin i cili në atë moment në vend kalim e shënuar për këmbësor ishte duke kaluar rrugën nga krahu i djathtë I lëvizjes së automjetit“.
Tutje, bëhej me dije që me sugjerim të mjekut kujdestar në Spitalin e Prizrenit, S.K ishte nisur për trajtim në QKUK.
“Si pasojë e aksidentit këmbësori pëson lëndime, i cili nga autoambulanca dërgohet në qendrën emergjente të Spitalit në Prizren, sipas mjekut kujdestar këmbësori S.K ka lëndime të rënda dhe i njëjti për trajtim të mëtejme dërgohet në QKUK në Prishtinë”.
Gazeta ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga prokuroria për të kuptuar se çka ka ndodhur me shoferin, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur deri tani.