Ish-zyrtarja për zhvillim rajonal në Ministrinë e Administratimit dhe Pushtetit Lokal, Emine Hoti, ka thënë se Plani Rregullativ Urban i Komunës së Prizrenit kishte qenë në pajtim me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Këtë deklarim Hoti e ka dhënë të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prizrenit, në rastin ku për korrupsion po akuzohen ish-kryeshefi ekzekutiv i INFRAKOS-it, Agron Thaqi, tre ish-drejtorët e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu e Visar Islamaj, ish-drejtori i Inspektorateve në Prizren, Bujar Nerjovaj, ish-inspektori i ndërtimit, Bashkim Krasniqi, si dhe menaxheri dhe bashkëpunëtori profesional të “INFRAKOS”-it në Prizren, Naim Avdyli të akuzuar për korrupsion.
Shtatë të akuzuarit ngarkohen se kanë shkaktuar degradimin e pronës, si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme prej 104.674.61 euro.
Dëshmitarja ka thënë se nga raporti i përbashkët i MMPH-MAPL që kanë shqyrtuar Planin Rregullativ Urban të Komunës së Prizrenit kanë dhënë konstatim se është në pajtim me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Ligjin për Vetëqeverisje lokale.
Lidhur me rastin, dëshmitarja theksoi se në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal ka qenë e punësuar prej vitit 2006 e deri më 2017, në pozitën zyrtare për zhvillim rajonal.
Ajo tha se në vitin 2010 është emëruar si anëtare e Komisionit për vlerësimin e ligjshmërisë së vendimeve të Kuvendeve Komunale për fushën e planifikimit urban dhe rural. Tha se roli i saj ishte rol mbështetës, pra ka dërguar vendimet që i kanë pasur për shqyrtim, se a kanë kaluar këto vendime përmes kuvendeve komunale dhe se a është kompetencë e Komunës marrja e një vendimi.
Tutje tha se roli i saj ishte të sqarojë se një vendim i Kuvendit Komunal a ka kaluar përmes Asamblesë Komunale, a ka pasur kuorum në nxjerrjen e vendimit dhe se kështu është vepruar edhe për Komunën e Prizrenit.
Dëshmitarja Hoti tha se nuk ka qenë kompetente të dijë se a kalon hekurudha apo jo nëpër një pjesë të qytetit të Prizrenit, dhe se roli i saj ishte vetëm që të shikoj se a janë zbatuar dispozitat në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale gjatë nxjerrjes së Planit Rregullativ Urban.
Duke u pyetur se a ka pasur debat publik me rastin e nxjerrjes së Planit Rregullativ Urban theksoi se për këtë duhet pyetur monitoruesit e MAPL-së pasi ata kanë monitoruar dhe kanë bërë raport për punën e Kuvendit Komunal.
Pas dëgjimit të dëshmitares Hoti, seanca vazhdoi me propozime të tjera, ku Prokurori i Shtetit propozoi që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet kryetari i komisionit Hidajet Zhuri, mbrojtësi i të akuzuarit Nijazi Kryeziu avokat Kadri Mjekiqi propozoi që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet arkitektja Xhejlane Gjini si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Agron Thaqi, avokat Skender Morina propozoi që të dëgjohet Nexhmi Rama.
Pas kësaj kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha aprovoi të gjitha propozimet lidhur me dëgjimin e dëshmitarëve të lartëcekur.
Pas kësaj, seanca e paraparë për 09.07.2021 është anuluar dhe seancat e radhës janë caktuar më 28 Shtator dhe 27 tetor 2021 prej orës 21:30.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadik Paqarizit, Nijazi Kryeziut, Visar Islamaj, Bujar Nerjovaj, Bashkim Krasniqit, Agron Thaqit dhe Naim Avdylit, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Paqarizi, Kryeziu, Islamaj, Nerjovaj, Krasniqi, Thaqi dhe Avdyli, akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat, nuk i kanë përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, e duke i shkaktuar dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Paqarizi, në periudhën kohore 2012-2014, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka lëshuar leje ndërtimi firmës “Breu Petrol” më 9 gusht 2012, leje ndërtimi për personin Reshat Kamberi më 25 korrik 2013 dhe leje ndërtimi për personin Xhavit Spahija, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik, i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Më këtë thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme, duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.
Ndërsa sipas aktakuzës, i akuzuari Kryeziu, në periudhën kohore 2014-2016, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi personit Nexhat Bytyqi më 30 maj 2014 dhe leje ndërtimi për personin Avni Haliti më 21 maj 2014, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063. Me këtë thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.
Në aktakuzë thuhet se edhe i akuzuari Islamaj, në periudhën kohore 2016-2017, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave duke lëshuar leje ndërtimi për firmën “Fat Grup” më 6 mars 2017, po ashtu leje ndërtimi për personin Agron Kuka më 3 maj 2017, leje ndërtimi për personin Mexhid Karavidaj më 29 nëntor 2016, si dhe leje ndërtimi për personin Nrec Thaqi më 8 prill 2017, duke u bazuar në vendimet e marra nga Administrata Komunale, si Plani Urbanistik i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063. Me këtë thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOS”-it në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Nerjovaj, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave, edhe pse ka qenë i njoftuar rreth mbindërtimit dhe uzurpimit në ndërtesën “Liburnia”, me pronar Destan Hoxhën, e cila ka qenë në ndërtim gjatë mandatit të tij, i cili ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, duke u bazuar në Plani Urbanistik i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj ka lejuar edhe ndërtimin e katit të shtatë, edhe përkundër konkluzionit të nënshkruar nga ana e tij, më 8 prill 2014, nuk është dhënë urdhër që i njëjti të zbatohet e që ka qenë kompetencë e tij, si dhe po ashtu ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari i ndërtesës-investitori ka bërë mbi pronën e hekurudhave “INFRAKOS” dhe nuk ka ndërmarr asnjë veprim parandalues. Me këtë thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar dëm “INFRAKOSIT”, në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.
Gjithnjë sipas së njëjtës aktakuzë, i akuzuari Bashkim Krasniqi, gjatë vitit 2012, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, ka bërë tejkalimin e kompetencave edhe pse ka qenë i caktuar për inspektimin e këtij ndërtimi, ku objekti, ka pasur leje për ndërtimin e 2+B+P+6, dhe gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka lejuar që të bëhet mbindërtimi, pra edhe i katit të shtatë, respektivisht tejkalimi i lejes së ndërtimit, si dhe ka qenë i njoftuar për uzurpimin të cilën pronari-investitori e ka bërë në pronën e hekurudhave.
Ndërkaq, i akuzuari Thaqi, gjatë vitit 2013, në Fushë Kosovë, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e kryeshefit të “INFRAKOS”, nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës. Aty thuhet se duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, ku në neni 128, paragrafi 2, parashihet që punët mbrojtëse, përfshirë edhe masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, duke mos marrë pjesë në diskutimet publike për planin rregullativ urban për Komunën e Prizrenit, ku është marrë edhe Plani Rregullativ Urban i datës 18 tetor 2012, e cila është në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat me nr.04/L-063, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “INFRAKOS”. Me këtë thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Avdyli, gjatë vitit 2013, në Prizren, duke punuar si person zyrtar, në cilësinë e menaxherit të patundshmërive dhe bashkëpunëtorit profesional pranë “INFRAKOS” nuk i përmbush detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta, nuk ka vepruar sipas Ligjit për Hekurudhat, për masat e parandalimit për veprimet e ndaluara-ndërtimet në apo në afërsi të infrastrukturës hekurudhore, dhe duke vepruar me vonesë në parashtrimin e padive pranë gjykatave kompetente për mbrojtjen e pasurisë së “Infrakos”. Me këtë thuhet se ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunës e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëm në vlerë të përgjithshme 104.674.61 euro.
Me këtë, të gjithë të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nën paragrafin 2.2 të KPRK-së. /BETIMIPËRDREJTËSI