26-11-2024

Prizren: Shtyhet gjykimi ndaj deputetes Vrenezi dhe të tjerëve për rastin “Abi Çarshia”

Për shkak se të akuzuarit Arian Taraku dhe Isë Bislimaj nuk kishin angazhuar avokat, të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar të nis rigjykimi ndaj deputetes Jetmire Vrenezi, ish- drejtorit të Inspektoratit, Islam Thaqi, Egzonë Morina-Thaqi, Tarakut, Bislimajt dhe Shqipron Krasniqi, ku po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Kymete Kicaj tha se me nenin 56 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), në këtë çështje penale mbrojtja është e detyruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, të akuzuarit Taraku dhe Bislimaj kanë kërkuar që për ta gjykata të angazhoj mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Ndryshe, prezentë në seancë ishin prokurori Mehdi Sefa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, “Abi Sh.p.k” avokat Taulant Hodaj, i akuzuari Thaqi me mbrojtësin e tij, avokat Blerim Mazreku, e akuzuara Vrenezi me mbrojtësit e saj, avokatët Adem dhe Urim Vokshi, e akuzuara Morina- Thaqi me mbrojtësin e saj, avokat Valdet Hoxha dhe i akuzuari Krasniqi me mbrojtësin e tij, avokat Hamdi Jashari.

Avokatët Hodaj, Jashari dhe Hoxha kanë deklaruar se nuk kanë pranuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e për këtë gjykatësja Kicaj tha se menjëherë do të pajisen me të njëjtin.

Po ashtu, ajo tha se për të akuzuarit Taraku dhe Bislimaj do të angazhohen mbrojtës dhe për këtë do të njoftohet Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK).

Në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë është shtyrë, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 16 qershor 2023.

Gjykata Themelore në Prizren, më 17 maj 2022, kishte dënuar  Vrenezin dhe Thaqin ndërsa Morina- Thaçi, Taraku Bislimaj dhe Krasniqi ishin liruar nga akuza për korrupsion.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e anekesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.