Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, për shkak se përfaqësuesi i të dëmtuarës, Komuna e Prizrenit, avokat Blerim Mazreku, nuk ishte i pajisur me shkresa të lëndës, është shtyrë gjykimi ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike në Prizren, Osman Krasniqi.
Krasniqi po akuzohet se si menaxher i kontratës në tenderin “Furnizim me zhavorr për rrugët e paasfaltuara në Komunën e Prizrenit”, i ka mundësuar operatorit ekonomik “Eurovia BI” në kuadër të kontratës të shuaj zjarrin përmes transportimit dhe hedhjes së dheut në deponinë e fshatit Zhur, e cila nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjes së dheut për shuarjen e zjarrit në deponi. Sipas aktakuzës dëmi i shkaktuar Komunës së Prizrenit është rreth 280 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Mazreku ka thënë se nuk pranuar asnjë informacion në këtë çështje penale dhe se pa analizim të shkresave të lëndës nuk mund të paraqes asnjë pretendim në emër të Komunës së Prizrenit.
Ndërsa, prokurori Mehdi Sefa tha se në shqyrtimin fillestar të 12 dhjetorit 2022, ka propozuar që në cilësi të palës së dëmtuar të ftohet Komuna e Prizrenit. Ai ka shtuar se prokuroria nuk është e obliguar që të pajisë palën e dëmtuar me shkresat të lëndës.
Sefa tha se në bazë të parimit të barazisë së armëve dhe mjeteve, të gjitha provat që ka në dispozicion do t’i përcjellë palës së dëmtuar.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Osmani, avokati Ruzhdi Berisha ka thënë se për të ekzistuar elementet e veprës për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, duhet të sqarohet edhe pala e dëmtuar.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka obliguar prokurorin Sefa që të dëmtuarën të pajisë me shkresat të lëndës.
E njëjta mori vendim që seanca e sotme të shtyhet, kurse seanca e radhës është caktuar të mbahet më 14 korrik 2023.
Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 9 nëntor 2022, e ngarkon Osman Krasniqin se më 8 prill 2021 deri më 5 maj 2021, në kohë të pacaktuar, si drejtor i shërbimeve publike në Komunën e Prizrenit ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për operatorin ekonomik “Eurovia BI”, me seli në Prizren.
Ai akuzohet se si menaxher i kontratës në tenderin “Furnizim me zhavorr për rrugët e paasfaltuara në Komunën e Prizrenit”, nxjerr urdhra për “Eurovia BI” që në kuadër të kontratës të shuaj zjarrin përmes transportimit dhe hedhjes së dheut në deponinë e fshatit Zhur, i ka mundësuar operatorit ekonomik “Eurovia BI” përfitim pasuror përmes kontratës, e cila nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjes së dheut për shuarjen e zjarrit në deponi.
Sipas prokurorisë, Krasniqi akuzohet se i ka pranuar faturat dhe ka mundësuar pagesat nga pozicioni i paraparë sipas pikës C shërbime me zhavorr në vlerën prej 8.02 euro për njësinë matëse m3 në kundërshtim me objektin dhe pozicionet e kontratës, në të cilin ka qenë menaxher, duke anashkaluar zyrën e prokurimit, ashtu që dëmton buxhetin e Komunës së Prizrenit për shumën totale prej 247 mijë e 360 euro e 40 centë.
Në aktakuzë, thuhet se me këto veprime, i akuzuari ka vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik me nr. 04/1-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjet 04/L-237, 05/L-68 dhe 05/L-092 si dhe në kundërshtim me rregullat e udhëzuesit operativ për prokurim publik RRUPP dhe atë nenet 19, 20 dhe 61.
Krasniqi, për këto veprime po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 i KPRK-së, vepër penale e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 10 vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.