Prizren: Shtyhet gjykimi për vrasjen në lagjen “Tusuz”
Për shkak të mungesës së dëshmitarit Z.K., ka dështuar të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e E.K., në lagjen “Tusuz” në Prizren, Haxhi Selmanaj.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, ka thënë se gjykata ka prova se dëshmitari Z.K është ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por, mungesën e dëshmitarit Z.K (vëllait të viktimës), e ka arsyetuar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Muhamet Shalaj, i cili tha se Z.K., nuk ka mundur të paraqitet në seancën e sotme për arsye familjare.
Prokurori Genc Nixha, ka propozuar që kjo seancë të shtyhet dhe të njëjtin e ka mbështetur avokati Shalaj dhe mbrojtësi i të akuzuarit Selmanaj, avokati Sylë Hoxha.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë kurse e radhës u caktua më 24 mars 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 15 korrik 2020, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26 janar 2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta tani të ndjerin E.K., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z.K, vëllai i të ndjerit.
Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin, ku kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit dhe në një moment i akuzuari e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur tani të ndjerin në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës E.K.
Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje”.
Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide nga organi i autorizuar shtetëror, mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë “ngjyrë ushtarake”, i cili është sekuestruar nga ana e policisë.
Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.