25-11-2024

Prizren: Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit se përmes detyrimit përfitoi rreth 200 mijë euro

Mungesa e prokurores së Prokurorisë Speciale, Merita Bina-Rugova, e cila ishte e zënë me angazhime tjera, u bë shkak që të dështojë seanca e së martës në Departamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prizren, ndaj të akuzuarit për detyrim, Asdren Mekaj.

Meka akuzohet se i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, pasi sipas Prokurorisë ai ka përdorur kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta sipas kushteve të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e prokurores Bina- Rugova, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha ka thënë se e njëjta përmes parashtresës ka njoftuar se nuk mund të jetë prezente në këtë seancë pasi që ishte e angazhuar në një takim në “Euro Just”.

Po ashtu, ajo tha se për shtyrjen e seancës janë njoftuar i dëmtuari Pal Gruda, i akuzuari Mekaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha.

Mungesa e kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance bëri që ajo të shtyhet, kurse e radhës u caktua më 30 qershor 2023.

Ndryshe, këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Besnik Berisha, gjykatësi Osmani ishte përjashtuar, kurse me vendim të gjykatës lënda i është caktuar gjykatëses Teuta Krusha.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj, për shkak të kryerjes së veprës penale “Detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “Shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i japë të holla të gatshme dhe t’i blejë vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vetë i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale.

Megjithatë, për veprën penale “Shantazhi” Gjykata Themelore në Prizren, më 31 gusht 2018, kishte marrë aktvendim, me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.