Prizren: Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për rastin e vjedhjes grabitqare në “Viva Fresh Store”
Mungesa e anëtares së trupit gjykues, Raima Elezi, u bë shkak që të dështojë të mbahet seanca e paraparë për të premten, në rastin ku Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj po akuzohen për vjedhje grabitqare, kurse Xhafer Ahmetaj po akuzohet për përdorim të armës.
Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, tha se gjykatësja Elezi nuk mund të jetë e pranishme në seancë, pasi për shkaqe objektive është jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, prokurori Genc Nixha propozoi që seanca e së premtes të shtyhet, me arsyetimin se zëvendësimi i anëtares së trupit gjykues do ta dëmtonte procesin. Kjo pasi ai tha se gjykatësja Elezi është gjykatëse me përvojë dhe e njeh çështjen deri më tani.
Kurse mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Avni Berisha, Nazmi Mustafa dhe Shemdi Bunjaku kërkuan nga gjykata që të mbrojturve të tyre, të akuzuarve Veton Krasniqi, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj, t’iu zëvendësohet masa e paraburgimit me ndonjë masë tjetër.
Avokati Mustafa tha se masa e paraburgimit ndaj të akuzuarit Ahmet Ahmetaj përveç që përbën shkelje të Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal, gjithashtu shkel edhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, konkretisht nenin 6, si dhe neni 31 të Kushtetutës së Kosovës.
Pas kësaj, gjykatësja Krusha aprovoi propozimin e prokurorit Nixha për shtyrjen e seancës. Atë të radhës e caktoi për 11 gusht 2021, në ora 09:00.
Kurse, e njëjta nuk u deklarua lidhur me kërkesën e avokatëve të tre të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuzën për këtë rast e ka përpiluar Prokuroria Themelore në Prizren, më 13 janar 2021.
Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj akuzohen se më 2 shtator 2020, rreth orës 03:35, në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit, në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në bashkëveprim edhe me të miturin H.B., të zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes, me qëllim pasurinë e vjedhur ta mbajnë, përdorin armën e zjarrit për ta sulmuar personin tjetër.
Në aktakuzë thuhet se Ahmet Ahmetaj duke pasur armën me vete si dhe duke përdorur forcën përmes një shufre metalike, në shoqërim të të miturit i cili ka pasur në dorë një kaçavidë, hapin derën e qendrës tregtare dhe të gjithë futen brenda, ku arrijnë të përvetësojnë një sasi të konsiderueshme të cigareve.
Gjatë daljes nga qendra tregtare thuhet se ata vërehen nga dëshmitari Xhafer Ahmetaj, i cili ishte edhe pronar i objektit, ku Ahmet Ahmetaj me të kuptuar që janë vërejtur nga pronari i objektit ka shkrepur me armë në ajër dhe më pas hipin në veturën “ Renault Megane” dhe largohen në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar kështu “Viva Fresh Store” dëm material.
Me këto veprime ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhja grabitqare” nga neni 316, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Xhafer Ahmetaj, gjatë kohës kur ka zënë të lartpërmendurit në flagrancë, ka përdorur armën e zjarrin në kundërshtim me ligjin, ndonëse për të njëjtën posedon leje nga organi kompetenet.
Aty thuhet se derisa Ahmet Ahmetaj ka shtënë me armë zjarri në ajër për ta firkësuar Xhafer Ahmetajn, ky i fundit gjithashtu nga terrasa e shtëpisë ku banon shtinë 4 herë me armë në ajër, nga frika për të dhe familjen e tij, me qëllim që t’i largojë të pandehurit.
Në fund, në aktin akuzues thuhet se posa policia arrijnë në vendin e ngjarjes, Xhemaj Ahmetajt ia sekuestrojnë armën në fjalë.
Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi