21-02-2026

Prizren: Shtylla elektrike rrëzohet, banorët pa energji prej dje – komuna nuk reagon

Një shtyllë elektrike ka rënë në rrugën “Samedin Emini” në Prizren, duke bllokuar një pjesë të lagjes dhe lënë banorët pa energji elektrike që nga dje në orën 16:00.

Banorët tregojnë për Sinjalin se kanë kontaktuar KEDS-in për të zgjidhur problemin, por nuk kanë marrë përgjigje konkrete për ndihmë.

“Jemi bllokuar që nga dje, kemi lajmëruar KEDS-in dhe na thanë se ekipi do të vinte sot, por deri tani nuk ka ardhur askush, dhe telefonatat tona nuk marrin përgjigje”, tha një banor i zonës.

Ky nuk është rasti i vetëm me shtylla elektrike të rrezikshme në Kosovë.

Më herët, Sinjali ka raportuar për situatën kritike në fshatin Lubinjë e Epërme, ku përveç shembjes së dheut që ka izoluar një lagje të tërë, shtylla e tensionit të lartë është dëmtuar dhe gypi kryesor i ujit të pijes është çarë, duke lënë gjysmën e fshatit pa furnizim me ujë.

Banorët paralajmërojnë se shtyllat elektrike të dëmtuara përbëjnë rrezik serioz për jetën, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit që lëvizin në zonë.

Asnjë koment

Comments are closed.