13-12-2025

Prizren: Sukses tjetër i antidrogës, edhe një i dyshuar në pranga për marih’uanë dhe koka*inë

Një tjetër aksion i suksesshëm i Njësisë Kundër Trafikimit me Narkotikë është realizuar pasditen e djeshme në Prizren, ku është arrestuar një person i dyshuar për shitje dhe shpërndarje të substancave narkotike, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas informatave që ka siguruar redaksia nga burimet, në kuadër të planit operativ “Rrjeta 2025–2026”, hetuesit e DHTN-së kanë ndaluar M.B., rreth 23-vjeçar në rrugën “Petrit Bytyqi”, afër banesës së tij, pasi ndaj tij kishte informacione operative se po shpërndante kokainë dhe marihuanë në qytet.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe gjyqtarit të procedurës paraprake, është kryer kontroll ndaj të dyshuarit, veturës dhe banesës së tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar sasi të ndryshme të marihuanës dhe kokainës, peshore elektronike, qese për paketim, grinderë, telefon mobil dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin e kundërligjshëm.

Vlera e narkotikëve të sekuestruara në tregun e zi vlerësohet rreth 1.500 euro.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit i është caktuar masa e ndalimit policor, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë nga DHTN – Njësia në Prizren./Gazeta Sinjali/

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.