24-11-2024

Prizren: Të akuzuarit për uzurpim prone kërkojnë hudhjen e aktakuzës, prokurori të kundërtën

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten është mbajtur seanca e shqyrtimit të dytë ndaj të akuzuarve për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, Reshat dhe Shefki Rizanaj, të cilët e kanë kundërshtuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Mbrojtës i të akuzuarit, Reshat Rizanaj, avokati Hajrip Krasniqi, gjykatës i ka parashtruar kërkesë me shkrim me të cilën kërkon hudhjen e aktakuzës.

Sipas tij, nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke kërkuar nga gjykata që të bëjë aprovimin e kërkesës për hudhjen e aktakuzës.

Këtë propozim të avokatit, Krasniqi, e ka mbështetur edhe i pandehuri Reshat Rizanaj.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Shefki Rizanaj, e ka kundërshtuar aktakuzën e prokurorisë, duke thënë se në këtë rast është më shumë si ndërmjetësues, por jo edhe  i akuzuar apo shkelës i ligjit.

Një gjë të tillë e ka mohuar prokurori i rastit, Atnor Skoro, i cila ka kërkuar që kërkesa e parashtruar nga avokati, Krasniqi, si dhe nga i pandehuri Shefki Rizanaj, të refuzohen nga ana e gjykatës, si dhe të vazhdohet me shqyrtim të rregullt gjyqësor, me qëllim të vërtetimit të drejtë të gjendjes faktike.

Gjykatësi Mehmet Ndrecaj, tha se gjykata do të vlerësojë pretendimet e dyja palëve dhe do të vendosë mbi kërkesën për hudhjen e aktakuzës ku dhe do të njoftohen palët lidhur me vendimin.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 28 shtator 2017 ndaj të akuzuarve Reshat Rizanaj dhe Shefki Rizanaj, të cilët akuzohen se që nga viti 2001, e në vazhdim në Prizren, në bashkëveprim në mënyrë të kundërligjshme uzurpojnë pronën e paluajtshme të personit tjetër.

Sipas aktakuzës, toka ka sipërfaqe prej 540 metra katrorë, e cila është në emër të të dëmtuarit Momcilo Mladenoviq, e që në këtë pronë sipas aktakuzës, të pandehurit Rizanaj, kanë ndërtuar shtëpi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ata akuzohet se ka kryer veprën penale “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 332 të Kodit Penal të RKS. /BetimipërDrejtësi.

Asnjë koment

Comments are closed.