Prizren: Të kaluar kriminale – ky është vendimi i Gjykatës ndaj të dyshuarve për shitblerje të drogës
Lajmi është konfirmuar për Sinjalin nga Gjykata Themelore në Prizren. Zëdhënësi Marcel Lekaj, në një përgjigje për Sinjalin ka bërë me dije se gjyqtarja e procedurës paraprake, ka aprovuar kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.
Emil Tarakaj po hetohet për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Ali Saramati për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Tarakaj dhe Saramati kanë të kaluar kriminale, pasi në evidencën penale rezultojnë edhe raste të tjera të mëhershme për veprën penale të njëjtë.
“Ndaj të pandehurve është caktuar MASA E PARABRUGIMIT, në kohëzgjatje prej një (1) muaji e cila mund të zgjasë deri më datë 13.04.2024 (për të pandehurin E.T.,) dhe 14.03.2024 (për të pandehurin A.S.,).
Gjyqtarja e procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresave të lëndës dhe provave materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e bazuar.” – njoftoi Lekaj.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë.
Sipas vlerësimit të Gjykatës me lënien në liri të tyre ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, edhe duke marrë parasysh se në evidencën penale, rezultojnë edhe raste të tjera të mëhershme për veprën penale të njëjtë.
“Me datë 13 mars 2024 rreth orës 19:10 në Prizren e pikërisht në banesën e tij e cila gjendet në perimetrin brenda 20 metra nga shkolla fillore “ ………… ” dhe shkolla Speciale “……..” pa autorizim shpërndan dhe shet substanca narkotike në atë mënyrë që ditën kritike gjatë kontrollit të banesës së tij e cila gjendet në rrugën “……..” në një dhomë të banesës së tij Policia ka gjetur dhe sekuestruar shtatë (7) qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 9.58 gram, një qese najloni të tejdukshme të mbushur me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshe 0.61 gram, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 2.30 gram, është gjetur një peshore digjitale ngjyrë e verdhë, Muhler SN0004261335 mjet i cili është përdorë për matjen e substancës narkotike dhe një role foli najloni që shërben për paketimin e substancës narkotike, si dhe njëzet (20) euro që dyshohet se janë mjete të fituara nga shitja e substancave narkotike.
I pandehuri E.T., me datë dhe kohën e njëjtë si më lartë, në banesën e tij e cila gjendet në Prizren në rrugën “…..” gjatë kontrollit të banesës nga ana e policisë, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sprej OC me mbishkrim NATO CS-GAS SILLIARDE dhe një thikë Broker me teh prej nëntë (9) cm të cilat i pandehuri i ka mbajtur në pronësi dhe në posedim në kundërshtim me ligjin për armët e tilla.” – thuhet tutje në përgjigjen e Lekajt për Sinjalin.