Prizren: Të pranuarit në konkursin e anuluar për mësimdhënës, letër të hapur institucioneve të ndryshme
Grupi i të pranuarve për mësimdhënës nga konkursi i anuluar nga kryetari i komunës, Mytaher Haskuka dhe DKA e Prizrenit, i shkruajnë letër të hapur bartësve të institucionëve të ndryshme.
“Ne, grupi i arsimtarëve të pranuar në punë, në konkursin e muajit Korrik-Gusht të vitit 2019, konkurs ky i cili u hap nga DKA-ja në Prizren dhe që për shkaqe apo arsye qesharake, i njëjti konkurs u mbyll me urdhër të Kryetarit të komunës së Prizrenit, pasi që ne kishim kaluar të gjitha etapat e vlerësimit nga juria, të caktuar nga vetë DKA-ja, ju drejtohemi me këtë:
LETËR TË HAPUR
Drejtuar për:
Presidentin, z. Hashim Thaçi,
Kryeministrin në detyrë, z. Ramush Haradinaj,
Ministrin në detyrë të MASHT-it, z. Shyqiri Bytyqi,
Inspektoratin e Punës,
Gjykatën Themelore në Prizren,
Avokatin e Popullit,
SBASHK-un si dhe
Mediat
Të nderuar/a, po e nisim këtë letër të hapur publike për ju, për t’iu njoftuar me ecurinë e procesit që kemi kaluar gjatë konkursit të DKA-së në Prizren, të muajit Korrik dhe Gusht, deri në përzgjedhjen tonë nga juria e përzgjedhur nga vet DKA-ja në Prizren, rrëzimi i konkursit të njëjtë si dhe fazat pas vendimit të anulimit të konkursit.
Konkursi në fjalë është hapur më datë:02- 03.07.2019 me afat prej 14 ditësh për të aplikuar dhe është mbyllur më 17.07.2019.
Në këtë konkurs kanë aplikuar mbi 2000 persona, ku përmes komisionit vlerësues jemi përzgjedhur ne, pas testit me shkrim dhe intervistës së drejtpërdrejtë me grumbullimin e pikëve të fituara nga të dy fazat testuese.
Gjatë testit me shkrim, prezentë kanë qenë tre persona në sallë, e po të njëjtit ishin edhe komision për intervistën me gojë.
Gjatë intervistës, prezentë kanë qenë edhe drejtorët e shkollave si dhe këshilli i prindërve në shumicën e intervistave, e në mungesë të drejtorëve të shkollave kanë marrë pjesë zëvendës-drejtorët, ku gjithçka ka shkuar në mënyrë profesionale.
Pasi që doli vendimi për përzgjedhjen tonë, si dhe emrat e shkollave të cilat na janë caktuar, Kryetari i komunës, z. Mytaher Haskuka, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, mori vendim për shkarkimin e Drejtorit të Arsimit në Prizren dhe anulimin e konkursit deri në pikën ZERO, me arsyet që në shikim të parë duken qesharake.
Anulimi i konkursit, sipas z. Haskuka ka ardhur si pasojë e mospërfshirjes në krye të komisionit të drejtorëve të shkollave. Në këtë rast, po ashtu vlenë të ceket edhe fakti se të gjithë anëtarët e komisionit kanë qenë drejtorë apo zëvendës drejtorë nëpër shkolla të ndryshme të Prizrenit.
Menjëherë pas anulimit të konkursit, ne jemi këshilluar me avokatë dhe me disa prej tyre jemi pajtuar që të na përfaqësojnë juridikisht.
Pas ardhjes si drejtoreshë, zonja Xhemile Thaçi-Vezgishi, ankesat që ne ia kemi drejtuar DKA-së, na janë vonuar shumë dhe të njëjtat na janë kthyer me përgjigje negative.
Ankesat tona të drejtuara në Inspektoratin e Punës, në shkallën e parë të gjitha janë kthyer në vendime pozitive, ku të njëjtat vendime nga ana e DKA-së kanë vazhduar për në shkallën e dytë, tash më shumë se dy muaj dhe ne ende jemi në pritje.
Shumë herë e kemi shtruar pyetjen se si mundet një drejtoreshë të marrë vendim për anulim të një konkursi me mbi 70 mësimdhënës, ku ajo vet nuk ka asnjë ditë pune në arsim, dhe sapo t’i parashtrosh një pyetje, menjëherë kërkon respekt për moshën!
Si mund të hapet një konkurs i ri, ku i gjithi është plot gabime dhe si i tillë i hapur është në kundërshtim me të gjitha ligjet e mundshme që nga hapja, përpilimi i tij, si dhe shkaku që ne jemi ende duke pritur një vendim final nga shkalla e dytë e Inspektoratit të Punës?
A duhet gjithmonë arsimi të jetë lodër e politikës, ku për arsye të zgjedhjeve të anulohet një konkurs, pasi që të përfundojë dhe të merret vendimi e të bëhet publik, ku dihet në sa faza duhet të kalohet deri tek finalizimi i një konkursi?
Nxënësit të cilët nuk kanë asnjë faj në këtë katastrofë nga njerëz të papërgjegjshëm, humbin orë mësimore çdo ditë dhe pastaj kërkohet rezultati.
Tani që jemi gati në përfundimin e gjysmëvjetorit të parë, nxënësit humbin mbi 15 000 orë mësimore.
Në ndërkohë , në disa shkolla kanë vazhduar të punësojnë mësues fare pa konkurs!
Edhe sa orë tjera duhet të humben për kauza të kota, kush merr përgjegjësi në këtë katastrofë të krijuar në arsim në komunën e Prizrenit?
Kërkesa jonë është që të merret rasti si urgjent, që të mos humbin nxënësit më shumë, si dhe personat që e kanë shkaktuar këtë tollovi të vihen para drejtësisë.
Njëkohësisht, ne kërkojmë të fillojmë punën në ato vende ku kemi fituar me konkurs, dhe muajt e humbur kërkojmë të na kompenzohen si dhe të na kërkohet falje publike nga Kryetari Haskuka dhe zonja Thaçi-Vezgishi, por jo vetëm neve dhe familjeve tona por edhe të gjithë nxënësve që kanë humbur më së shumti gjatë kësaj periudhe!
Me shpresë se kjo letër do të merret me seriozitet dhe urgjencë,
Sinqerisht, Valon Xhoxhaj, përfaqësues i grupit”, shkruhet në fund të kësaj letreje.