Prizren: Tentim-grabitja në filialen e Finca-s, Policia bastis shtëpinë e të dyshuarit
Ditë më parë ndodhi një tentim-grabitje në filialen e “Finca-s” në Prizren. Policia është vënë në lëvizje për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, por akoma nuk kanë arritur të bien në gjurmët e tij.
Gjatë konfrontimit fizik në mes të të dyshuarit dhe punëtorit fizik, fal të cilit u parandalua grabitja e armatosur, të dyshuarit i kishin rënë çelësat e veturës.
Zyrtarët policor menjëherë kishin filluar kërkimin e veturës dhe pas pak kohe ishte arritur të gjendet vetura të cilën dyshohet se e kishte perdorur i dyshuari.
Hetuesit rajonal pas verifikimit të veturës dhe marrjen e informacioneve të tjera kanë siguruar adresën e personit të dyshuar ku më pas kanë bastisur shtëpinë e tij.
Gjatë bastisjes, hetuesit policor kishin gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, të cilat mund të lidhin të dyshuarin me rastin e parë të grabitjes.
Në anën tjetër, lidhur me rastin e grabitjes, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të vazhdojnë hetimet për të mbledhur prova deri në identifikimin e personit të dyshuar dhe arrestimin e tij.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Në një deklarim për Sinjalin, Bytyqi ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 16:05 në filialen e një institucioni makrofinanciar në lagjen Bazhdarhane në Prizren.
Sipas Policisë, një person i maskuar dhe i armatosur ka tentuar që të grabisë filialen, duke u konfrontuar me punëtorin e sigurimit, por që i njëjti nuk ka arritur që të kryej grabitje.
Ndër të tjerash, Shaqiri shton se i armatosuri në pamundësi t’ia arrijë qëllimit ka ikur në drejtim të panjohur dhe se Policia është duke punuar në identifikimin e të dyshuarit.
Kujtojmë që një grabitje në po filialen e njëjtë ndodhi rreth tre muaj më parë, ku Gazeta Sinjali kishte raportuar se një person i maskuar kishte arritur që nën kërcënimin e armës t’i kap 10 mijë euro dhe më pas ishte zhdukur. /Gazeta Sinjali