Prizren: Tentoi t’i shkelë me veturë, merr 4 vjet burgim
Departamenti për Krime të Rënda, që vepron në kuadër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarit me iniciale I. K. nga Prizreni, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë në tentativë, duke i shqiptuar dënimin me burgim prej 4 vitesh.
Në përshkrimin e lëndës ndaj të akuzuarit, thuhet se me datën 12 qershor 2017, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Ismet Jashari” në Prizren, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme familjare, i pandehuri me qëllim ka tentuar ta privoj nga jeta tani të dëmtuarin me iniciale L.P. si dhe me dashje ka vënë në rrezik jetën e personave të tjerë në vendin publik, të dëmtuarit me iniciale B.P.dhe A.R.
I pandehuri me veturën e markës “Seat Altea” ka lëvizë me një shpejtësi të madhe në drejtim të dëmtuarve, duke goditur këmbësorët ashtu që të dëmtuarit me iniciale L.P. i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa të dëmtuarit B.P. i shkakton lëndime të lehta trupore.
Për shkak të shpejtësisë së madhe vetura rrokulliset dhe e godet qytetaren me iniciale A.R. të cilës i shkakton lëndime të lehta trupore, si dhe dëmtime material iu shkakton të dëmtuarve SH.E., në lokalin “Xhem”, “Optika” dhe “Ortar”.