17-12-2025

Prizren: Tre të arrestuar për degradim të mjedisit, kapen duke eksploatuar zhavorr pranë lumit “Drini i Bardhë”

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, më 4 qershor 2025 pati zhvilluar një aksion të suksesshëm kundër degradimit të mjedisit, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e natyrës dhe pasurive mjedisore.

Ky aksion kishte si qëllim parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që dëmtojnë mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 19 persona dhe janë sekuestruar 40 mjete të përdorura për kryerjen e veprave penale, përfshirë: 10 kamionë, 15 eskavatorë, 15 makina separimi, si dhe prova të tjera materiale, me një vlerë totale të sekuestrimit prej rreth 2 milionë euro.

“Megjithatë, më 17.12.2025 vetëm disa muaj pas këtij aksioni, ka pasuar një tentativë tjetër për dëmtimin e mjedisit. Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar në flagrancë, në orët e vona të natës, pasi tentuan të eksploatonin zhavorr përreth lumit ‘Drini i Bardhë’. Lidhur me këtë rast është sekuestruar një kamion dhe një eskavator,” thuhet në njoftim.

Personat e arrestuar gjenden në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.


 

“Prokuroria Themelore në Prizren do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar aktivitete të paligjshme që mund të shkaktojnë dëm të madh për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren apelon për angazhimin e të gjithëve në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore dhe respektimit të ligjit për një të ardhme më të qëndrueshme,” thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.