24-11-2024

Prizren: U mbajtë aktiviteti i lëshmit me goma në Lumbardh “BUNARFEST”

Gara tradicionale e lëshimit me goma në Lumbardh, e cila ishte shtyrë për dy herë me radhë për shkak të motit jo të favorshëm, është mbajtur këtë të diel. Rreth tridhjetë pasionantë të lëshimit me goma nga Prizreni, Prishtina, Mitrovica dhe Shqipëria, Gjermania, Holanda e SHBA-të, janë nisur nga kampi i Marashit deri tek Ura e Gurit, pasi paraprakisht moren instruksionet e duhura, sepse për një pjesë të tyre ishte hera e parë që marrin pjesë në këtë garë të veçantë që e bën Prizrenin edhe më atraktiv.

Njëra prej tyre ishte edhe, Marsela Halilaj, nënshtetase amerikane e lindur në Shqipëri, e cila ishte tejet e kënaqur me pjesëmarrjen në këtë garë. Sabir Shabanit, pas 30 vitesh, iu ishin rikthyer kujtimet kur si fëmijë lozte me shokët e tij në Lumbardh, ndërsa Renata Gjeraj, tash e disa vite nuk mund të mungojë në këtë ngjarje të veçantë.

Një grup shokësh nga Holanda, gjithashtu për herë të parë moren pjesë në “ Bunarfest”, duke thënë se ishte një aventurë shumë e këndshme. Ndërkaq, amerikani Shawn Hicks, i cili është pjesë e këndit amerikan në Prizren, gjatë lëshimit është ndaluar në disa vende për të mbledhur mbeturina, dhe tha se ai e do Prizrenin shumë por e dëshiron edhe të pastër. I lumtur që më në fund përplot me sukses pas dy shtyerjeve të detyrueshme është mbajtur gara, u shpreh organizatori Dren Marseli nga OJQ “ X 40”, i cili tha se “Bunarfest” edhe kësaj here dëshmoi me atraktivitetin e tij se e promovon Prizrenin në botë. Për sigurinë e garuesve, janë përkujdesur anëtarë të KZH “ Trepça” nag Mitrovica.

Edhe edicioni i radhës së ” Bunarfest” ka zgjuar kërshërinë e shumë qytetarëve dhe vizitorëve që ndodheshin në qendër të Prizrenit këtë të diel. Në fund, gjithçka përfundoi me një atmosferë të këndshme në kejin e Shatërvanit, ku shumë të rinj u argëtuan me muzikë./tvpz

Asnjë koment

Comments are closed.