25-11-2024

Prizren: Vajza 23-vjeçare tenton t’i japë fund jetës së saj në qendrën ‘Galeria’, i pret venat

Traumat që vijnë nga mjediset familjare dhe shoqërore, kushtet e jetesës, rrethanat ekonomike, e depresioni shpesh janë vlerësuar shkaktarë që kanë çuar drejt vetëvrasje e tentimit për ta kryer këtë akt. Familjet janë ato që i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë këto raste dhe janë me fat kur arrijnë t’i shpëtojnë familjarët, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në qendrën tregtare “Galeria” në Prizren, ku një vajzë 23-vjeçare ka tentuar t’i jap fund jetës së saj, duke i prerë venat, me ç’rast i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Këtë e kanë bërë të ditur burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës dhe kanë njoftuar se viktimës fillimisht i është dhënë ndihma mjekësore në vendin e ngjarjes e më pas është dërguar në këtë qendër për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Sinjali mëson se pasi Policia është njoftuar për rastin, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes për të marrë informacionet e para se si ka ndodhur ngjarja.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vetëvrasje në tentativë’ dhe kanë nisur hetimet që zbardhin motivet dhe rrethanat e rastit.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga qendra tregtare për të kuptuar nëse bëhet fjalë për ndonjë punëtore apo kliente, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Asnjë koment

Comments are closed.