Me nderime qytetare, të premten është varrosur në Lubizhdë të Prizrenit, trajneri i mirënjohur, Illmen Bajra, i cili ndërroi jetë papritmas në moshën 33 vjeçare. Përkundër motit me shi të dendur, familjarë, miq, qindra qytetarë, sportistë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme, në varrezat e vjetra të fshatit Lubizhdë, i dhanë lamtumiren e fundit, Illmen Bajrës, trajnerit të mirënjohur prizrenas, i cili ndërroi jetë papritmas pas një sëmundje të shkurtër në Gjermani.
Miku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Edin Kërveshi, mezi gjente fjalë për të shprehur dhimbjen me rastin e ndarjes nga jeta të Illmenit, me të cilin punoi gjatë në KB “ Bashkimi”, duke e kujtuar atë si një njeri të afërt e të dashur, si një punëtor të madh dhe një person të apasionuar pas sportit të zemrës, të cilit ia ka kushtuar tërë karrierën e tij profesionale, duke nisur suksesshëm me punë në Gjermani, por që vdekja e parakohshme ia ndaloi një gjë të tillë.
Edhe basktbollisti i “Proton cable Prizreni”, Qëndrim Ajazaj, tha se ndarja e parakohshme e trajner Bajrës, është humbje e madhe për gjithë komunitetin sportive.
Ndryshe, shumë miq e bashkëpunëtorë, mes lotësh u ndanë të premten nga, Illmen Bajra, i cili kishte aspirata mëdha për të bërë karrierë edhe më të bujshme sportive, por që vdekja e parakohshme ia ndërpreu një gjë të tillë në moshën shumë të re, vetëm 33 vjeçe./tv Prizreni