Prizren: Veseli në takim me mësimdhënësit premton kujdes të veçantë për rritjen e cilësisë në Arsim
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Kadri Veseli, gjatë një takimi me mësimdhënësit e Prizrenit, mbrëmjen e të mërkurës, ka thënë se kjo kategori më se miri e di se çfarë ka bërë PDK për përmirësimin e gjendjes në arsim.
Ai këto i ka vlerësuar si vendime të guximshme të PDK-së për nivelin e rritjes së pagave dhe forcimin e dinjitetit të punëtorëve të arsimit, të cilin siç ka thënë nuk duhet ta harrojmë se ku ishte në vitin 2007, kur kjo parti erdhi në pushtet.
Në këtë takim kanë qenë edhe punëtorë të institucioneve të kulturës e sportit.
Veseli, pas orës 20:00, po ashtu ka mbajtur një tubim edhe me banorët e rajonit të Anadrinit, në Piranë.
”Prizreni çdo ditë e më shumë po i beson PDK-së dhe vizionit tonë. Dhe mësimdhënësit që sot i takova, i njohin më së miri vendimet e guximshme të PDK-së për t’i ngritur pagat dhe forcuar dinjitetin e tyre.
Si Kryeministër do të kem kujdes të veçantë për rritjen e cilësisë në arsim, duke shtuar fondet shtetërore dhe përmirësuar infrastrukturën shkollore dhe universitare.
Mbrëmjen e kalova me takime të shumta edhe në fshatrat e Anadrinisë së Prizrenit dhe në Drenoc të Rahovecit.
Përkrahësve dhe qytetarëve u kërkova më tepër angazhim për ta bërë më të madhe fitoren e PDK-së më 6 tetor. #PDK112”, ka shkruar Veseli./GazetaePrizrenit.net