Prizren: Vihet gurthemeli për ndërtimin e memorialit të Komandant Drinit
Në Prizren është vënë gurthemeli për ndërtimin e memorialit të Komandant Drinit.
Në ceremoni pos zyrtarëve lokal e familjarëve, morën pjesë edhe përfaqësues fetarë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Ceremonia është zhvilluar në kontekstin e shënimit të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Prizrenit.
Nga familjarët e Drinit ishte gruaja dhe fëmijët e tij.
Projekti kushtuar Komandant Ekrem Rexhës -i njohur gjatë luftës me nofkën Drini, ka nisur në mjediset e oazës së gjelbër, përballë selisë së Kuvendit Komunal, tek “Shtëpia e Bardhë”.
Kohë më parë është njoftuar se vlera e përgjithshme e kontratës për ndërtimin e memorialit është rreth 139.500 euro.
Komandanti i UÇK-së, Drini u vra në rrethana misterioze, para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane”, mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.
Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.
Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. /GazetaePrizrenit.net