Prizren: Vjedhje e rëndë, hajnat marrin stoli ari në vlerë rreth 15 mijë euro në një shtëpi
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Gjatë ‘aksionit’ të vjedhjes, hajnat gjurmojnë që të gjejnë gjëra me vlerë në shtëpi siç janë paratë dhe stolitë e arit, raporton Sinjali.
Kështu e ka pësuar mbrëmë edhe një familje në fshatin Lubizhdë të Prizrenit, ku persona të panjohur kanë hyrë brenda shtëpisë dhe kanë arritur që të marrin një sasi të konsiderueshme të stolive të arit.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar në Polici pronarja e shtëpisë, sipas të cilës vlera e dëmit të shkaktuar kap vlerën e rreth 15 mijë eurove.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.