Prizren: Vjedhje e rëndë në qendrën tregtare “A&N”, hajnat morën rreth 25 mijë euro
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Marketet e qendrat tregtare shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur në qendrën tregtare “A&N” në Korishë të Prizrenit, ku hajnat kanë arritur të kryejnë vjedhje dhe të kapin një shumë të majme parash.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima që e denoncoi rastin në Polici, ka raportuar se nga kasaforta janë vjedhur rreth 25 mijë euro pazar ditor i qendrës.
Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia është aktivizuar dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë” dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.