Prizren: Vrasja për borxhin prej 20 euro, shtyhet seanca
Për shkak se nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Kosovë (IPFK) ende nuk është dorëzuar raporti me shkrim lidhur me shëndetin mendor të të akuzuarit për vrasje të rëndë, Sylejman Ahmeti, është shtyrë seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prizren.
Ahmeti po akuzohet se vrau Shaip Krasniqin shkaku i një borxhi prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, njoftoi palët se lënda në fjalë gjendet në Prishtinë, pranë IPFK-së, pasi që sipas kërkesës së mbrojtjes është kërkuar ekzaminimi i të akuzuarit Sylejman Ahmeti.
Tutje, ajo tha se Dr. Ajet Bunjaku e ka njoftuar gjykatën përmes telefonit më 23 shkurt 2022, se për shkaqe objektive si dhe të pandemisë raporti me shkrim lidhur me ekzaminimin e të akuzuarit nuk është kryer akoma, duke shtuar se të njëjtit do ta njoftojnë gjykatën në një afat të arsyeshëm.
Në këto rrethana, prokurori Metush Biraj propozoi që seanca të shtyhet për ditë tjetër.
I njëjti gjithashtu i dorëzoi gjykatës në kopje të mjaftueshme dëshminë me shkrim të bisedave telefonike dhe sms-ve që i ka zhvilluar Sylejman Ahmeti me të ndjerin Shaip Krasniqi, para ngjarjes kritike.
Meqenëse nuk ishte dorëzuar raporti me shkrim i lartpërmendur, gjykatësja Krusha përmes telefonit dhe adresës elektronike e ka njoftuar transportin e të burgosurve që mos ta sjellin të akuzuarin Ahmeti në seancë.
Kështu, gjykatësja Krusha njoftoi se anulohet seanca e 2 marsit, kurse ato të radhës i ka caktuar më 13, 27 dhe 28 prill 2022.