Aktivisti shumëvjeçar i shoqërisë civile, Bashkim Gashi duke përkujtuar se Kalaja e Prizrenit është monumenti më i vizituar në qytetin e vjetër ka propozuar rregullimin e rrugës me elemente përcjellëse, sikurse edhe kanalizimin për ujërat atmosferik.
“Kjo rrugë kërkon një projekt të veçantë, që duhet të hartohet nga profesionistët”, ka thënë ai, teksa është interesuar edhe për rrjedhën e projektit të Muzeut të Filigranit si dhe për rigjenerimin e brigjeve të Lumbardhit.
Ymer Korena nga lagja “Jeta e Re” ka theksuar se për banorët e këtij lokaliteti ndërtimi i rrugës është prioritet.
Alush Gashi nga fshati Arbanas ka kërkuar rregullimin e rrethojës së shkollës, pasi sipas tij në mungesë të saj, ka prani të qenve endacakë që rrezikojnë nxënësit. Ai ka propozuar edhe rregullimin e kanaleve të ujitjes për tokat bujqësore.
Safet Beqiri ka parashtruar kërkesën për vazhdimin e punimeve në rregullimin e rrugës në fshatin Gornje Sellë. Edhe përfaqësuesit nga fshati Pllanjanë kanë përmendur pezullimin e dy projekteve që Komuna ka marrë përsipër t’i realizojë në bashkëpunim me MZHR-në, por që deri më tani nuk janë finalizuar.
Simon Veseli nga fshati Shpenadi ka pohuar se gjatë qeverisjes aktuale në këtë vendbanim është rregulluar vetëm një rrugicë dhe se kërkesat janë paraqitur edhe për 5 rrugica tjera. Ai ka propozuar edhe ndërtimin e një Shtëpie të Kulturës në këtë lokalitet.
Salajdin Xhoxhaj nga lagja Petrovë ka numëruar disa probleme, duke kërkuar kujdes të shtuar edhe për shkollën në këtë pjesë si dhe në lagjen “11 Marsi”.
Ndërsa Bashkim Krasniqi ka kërkuar zgjidhje për çështjen e parkingjeve në qytet, që sipas tij përbën një shqetësim mjaft të madh për gjithë banorët e Prizrenit.
Karanfil Haxhillari është interesuar rreth planeve për zhvillimin e turizmit malor në Struzhë, sikurse edhe për riparimin e terrenit sportiv në këtë fshat.
Shukri Quni ka bërë të ditur se gjatë mandatit aktual ka përvojë të hidhur me pushtetin sa u përket kërkesave për investime nga buxheti komunal, pasi që sipas tij për afër 4 vite asnjë prej kërkesave nuk është realizuar.
“Uroj që këto kërkesa të mos mbeten në letër”, është shprehur ai.
Drejtoresha e Financave, Leonora Çerreti, ka njoftuar të pranishmit se pas pranimit të udhëzimeve nga Ministria e Financave, buxheti i parashikuar për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 50 milionë euro.
“Në bazë të qarkores së parë të pranuar nga MF-ja, për vitin 2022 planifikohet që të kemi një buxhet prej 49 milionë e 455 mijë euro, apo 3.5 % rritje nga buxheti i vitit 2021”, ka thënë Çerreti, duke shtuar se në vitin 2023 planifikohet që buxheti të jetë 51,3 milionë euro, përkatësisht 53,8 në vitin 2024. Ajo ka pohuar se të gjitha kërkesat do të adresohen në drejtoritë përkatëse dhe se pas përmbylljes së procesit të konsultimeve do të publikohet raporti se cilat kërkesa janë përfshirë në planifikimin buxhetor./koha.net
https://www.koha.net/kosove/273529/prizrenasit-i-bejne-thirrje-komunes-qe-kerkesat-e-tyre-te-perfshihen-ne-buxhet/