Lufta heroike çlirimtare dhe ndërhyrja ushtarake e miqve euro-atlantikë, rezultoi me çlirimin e Kosovës, ndërsa ndër të parët që përjetoi gëzimin e lirisë dhe daljen nga “ngujimi” tremujor ishte Prizreni.
Çlirimtarët e UÇK-së pas operacioneve ushtarake, fillimisht në fshatrat e banuara me serbë, arritën që të ngjallin frikë dhe panik tek popullata serbe, e cila u tërhoq drejt qytetit.
Ushtarakët e UÇK-së kësisoj vazhduan edhe nëpër lagjet periferike të qytetit, ku me 11 qershor 1999, veçse ishin në lagjet Daradania dhe Kurilla (ish- Jaglenica), si dhe në atë të Tususit e Arbanës.
Çlirimtarët e Prizrenit nga qytetarët u pritën me entuziazëm, dashamirësi, me lot gëzimi dhe krenari.
Në anën tjetër, zbarkimi i trupave të NATO-së në Prizren, me 12 qershor mbetet si ngjarje e veçantë e përjetuar nga qytetarët, të cilët thanë se emocionet e gëzimin e papërshkruar, të asaj nate do ta kenë gjithmonë në kujtesën e tyre.
Duke kujtuar momentet e hyrjes së KFOR-it, Besim Gashi, banor në qendrën e qytetit tregon se ai ishte një gëzim i paparëshkruar, pasi për herë të parë kishte parë, që në qytet njerëzit kishin dalë edhe në pizhame, ashtu siç kishin qenë në shtëpitë e tyre, kur kishin dëgjuar zhurmën dhe dridhjet e fuqishme të tankeve.
“Brohoritnim nga gëzimi si të shtangur “NATO”, “NATO”. Disa qanin dhe hidhnim mbi ushtarë e automjete lulet që i këputëm në oborr. Disa hipnin në tanke e i përqafonin ushtarët. Ishte diçka e papërshkrueshme, që kurrë nuk do ta harroj”, thotë ai.
12 qershori 1999 është një ditë e veçantë edhe në jetën e arsimtarit 74 vjeçar, Hajrullah Krasniqi nga lagja “Bazhdarhane”, i cili me gruan e tij dhe disa fqinj qëndroi në Prizren.
“Sikur sot më kujtohet ajo mbrëmje e ëndërruar e jetës sime. Edhe pse dëgjuam lajmet nga transistori, se pritej hyrja e këmbësorisë së NATO-së, nuk e besonim pa i parë me sy. Përvoja nga e kaluara dhe ditët pa shpresë që i kalonim të mbyllur, na kishin zbehur optimizmin”, shprehet ai, teksa i rrjedhin pika lotësh.
Lajmin për hyrjen e KFOR-it Krasniqi e kishte kuptuar nga fqinji i tij, që kishte dëgjuar njerëzit të dilnin në rrugë duke brohoritur si asnjëherë më parë.
Agim Bytyçi nga lagja “Ortakoll” ndërkaq kujton se si kishte pritur ta vërtetonte lajmin për përfundimin e luftës. “Qëndrova në ballkonin pa drita të banesës, në një kënd të kamufluar pasi kishim frikë nga ndonjë snajper. Nuk lëvizja dhe pas një kohe, diku kah mesnata dëgjova një zhurmë të fuqishme. Nuk e dija nëse është ndonjë avion bombardues apo diç tjetër. Pashë edhe disa lëvizje me shpejtësi nga drejtimi i Prizrenit për në Arbanë dhe kah stacioni i autobusëve, por për shkak të largësisë dhe territ nuk kuptoja çfarë po ndodhte. Pas disa çastesh dëgjova brohoritjet, të cilat më vonë i dhe deshifrova se ishin thirrjet për NATO-n dhe UÇK-në “, kujton ai.
“Menjëherë kam dal ashtu me çorape, pasi nga ngutia e terri as që më ka shkuar mendja t’i mbathja këpucët. “Në të dalë jemi bashkuar me fqinj e njerëz të tjerë. Rruga anash ishte përplot me njerëz që dukeshin ndryshe. Qanin, fishkëllenin, huheshin mbi tanke. Në rrugë kishte edhe shumë gra e fëmijë. Kjo ishte rilindja jonë e paharruar”, thotë ai./gazetaeprizrenit.net/