Një numër i prizrenasve po shprehin reagimet e tyre të ashpra, madje dhe ndaj Policisë, për shkak të prishjes së qetësisë nga zhurma e tepërt e motoçikletave të zhurmshme, por edhe veturave të tilla, pas orës 23:00 në pjesë të ndryshme të qytetit, raporton “GazetaePrizrenit.net”.
Reagimet janë nga njerëz familjarë dhe intelektual. Ata madje kanë kërkuar veprim të menjëhershëm nga Policia për ta ndërprerë këtë dukuri.
“Policia e Kosovës në Prizren për këtë verë e keni notën 0 (zero). Duhet me prit mu bo ora 3 e mëngjesit deri të qetësohen motoristat, për me mujt me bo një sy gjumë. Është bo qyteti xhungël, kush kujdeset për ruajtjen rendit dhe qetësisë këtu?”, ka shkruan farmacisti, Liridon Shala nga lagja “28 Nëntori-Ortakoll”.
Profesori Shefqet Qollaku, ndërkaq ka reaguar duke parashtruar një pyetje me qëllim të tërheqjes së vërejtjes: “Kam një pyetje për disa motorista dhe shofera të makinave të zhurmshme! Pse çmendeni pas orës 23 e 30 në lagjen Ortakoll! Dhe çdo natë thuaja se jeni të njëjtit !? ka shkruar ai.
Agim Krasniqi, banues në afërsi të Parkut, thotë se përkundër që nuk mund t’i hap dritaret, pas orës 23:00 nga zhurma e padurueshme në rrugën për në Spital, midis parkut e UPZ-së.
Një nga motoristët ka thënë për portalin “Gazeta e Prizrenit” se nuk di si ta përshkruash kënaqësinë të vozitësh motoçikleta të tilla.
“Gazeta e Prizrenit” gjatë një bisede më një nga motoristët ka kërkuar deklarimin e Policisë rreth këtyre shqetësimeve.
Zëdhënësi rajonal i PK në Prizren, Shaqir Bytyqi ka thënë se në operacionet për kontroll të ngasëseve të motoçikletave, Policia disa herë ka marrë masa ligjore kundër kundërvajtësve, por sa i përket zhurmës së motoçikletave pas orës 24:00, ende nuk ka ndonjë rregullore qe ndalon qarkullimin e tyre.
“Ky shqetësim i qytetarëve do të përcillet te të gjitha njësit relevante që të merren masat e lejuara ligjore”, ka thënë ai. / GazetaePrizrenit.net/