24-11-2024

Prizrenasja përfaqëson Zvicrën për çmimin e madh letrar “Bachmann”

Për shkak të pandemisë, ndarja e çmimit “Ingeborg Bachmann” për këtë vit do të mbahet në internet. Levin Westermann dhe Meral Kureyshi përfaqësojnë Zvicrën, shtatë autorë vijnë nga Gjermania dhe pesë nga Austria,

Shkrimtarja nga Berna Meral Kureyshi së bashku me Levin Westwermann është pjesë e përfaqësimit zviceran në konkurrencë për çmimin e madh letrar “Bachmann” të këtij viti.

Të kujtojmë: Meral Kureyshi është shkrimtare tashmë e shquar zvicerane, me prejardhje nga Kosova, pjesëtare e pakicës turke të Prizrenit, qytetit ku është lindur. Ajo ka ardhur në Zvicër në fillim të viteve `90 të shekullit të kaluar, në moshën 10 vjeçare.

Kureyshi shkruan në gjuhën gjermane dhe vepra e saj e deritashme letrare i ka siguruar një vend të nderuar në letërsinë që krijohet në Zvicër, shkruan albinfo.ch.

Suksesin më të madh e ka arritur me romanin e saj të parë “Elefanten im Garten” (Elefantët në kopësht), të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, nga Enver Robelli, në vitin 2019.

Në vitin 2015 ajo me këtë roman pati hyrë në rrethin e ngushtë për të fituar çmimin më të madh letrar të Zvicrës. albinfo.ch kishte zhvilluar intervistë të zgjeruar me autoren, po në vitin 2015. (https://www.albinfo.ch/me-elefantet-ne-kopsht-nga-prizreni-ne-berne/)

Siç ka njoftuar të enjten transmetuesi publik ORF, fituesja e vitit 2016 e çmimit “Bachmann”, Sharon Dodua Otoo do të mbajë fjalimin që hap tradicionalisht ditët e letërsisë në gjuhën gjermane në Klagenfurt, Austri.

“Të gjithë pjesëmarrësit nuk mund të vijnë në Klagenfurt në këtë vit të jashtëzakonshëm të konkursit të 44-të, përfshirë dhe jurinë. Prandaj ata duhet të zhvillojnë diskutimet e tyre nga distanca, ndonëse live”, thuhet në lajmin e ORF-së.

Çmimi “Ingeborg Bachmann” është dhënë që nga viti 1977 në kujtim të shkrimtares Ingeborg Bachmann (1926-1973), të lindur në Klagenfurt, dhe konsiderohet një nga çmimet letrare më të njohura në botën gjermanofolëse, transmeton albinfo.ch. 14 autorë nga Gjermania, Austria dhe Zvicra marrin pjesë për çdo vit në konkurs.

Për shkak të pandemisë, ditët e letërsisë në gjuhën gjermane tani mbahen në formë dixhitale. Leximet e autorëve janë regjistruar paraprakisht. Por, juria do të diskutojë për tekstet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për këtë qëllim, janë instaluar sistemet e kamerave në zyrat e anëtarëve të jurisë.

Hapja e ditëve të letërsisë në gjuhën gjermane më 17 qershor do të transmetohet në internet, dhe konkursi mund të ndiqet në televizionin 3sat në ditët në vijim, transmeton albinfo.ch. Ceremonia e diskutimit përfundimtar dhe ndarjes së çmimeve është planifikuar për të dielën, 21 qershor, nga 11 e paradites, njofton orf.at. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.