Prizren:Deklarohet i pafajshëm polici, akuzohet për përvetësim të 5 eurove
Zyrtari policor në Komunën e Prizrenit, Selman Ukzeka, është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të përvetësimit në detyrë.
Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, i akuzuari Ukzeka ka thënë se nuk e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, gjykatësi Xheladin Osmani seancën e radhës e ka caktuar për 30 dhjetor 2019, në ora 9:30.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore Prizren, e ngritur më 31 tetor 2019, e akuzon Selman Ukzekën se me 10 maj 2019, në cilësinë e zyrtarit policor në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së tij.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, pa ia marrë shënimet personale të ndaluarit-të dëmtuarit Sylë Shala, i drejtohet me pyetjen: “A janë këto gjësende, 2×5 euro, zingjiri, ora e dorës dhe kuleta e juaja?” dhe në momentin kur i ndaluari shfrytëzon tualetin, i akuzuari bën regjistrimin e gjësendeve, me ç’rast përvetëson njërën nga banknotat prej 5 euro.
Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari del nga tualeti, i pandehuri ia jep formularin për nënshkrim, e bastis në trup dhe e dërgon në dhomë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri, pas 30 minutave, shkon në dhomën e ndalimit dhe e pytë të dëmtuarin për disa kartëmonedha të huaja, të cilat pasi i nxjerr nga kuleta ia ofron të dëmtuarit në shikim, e më pas në formularë të pranimit e regjistron se i dëmtuari, përveç gjësendeve të lartëpërmendura, i ka pasur vetëm 5 euro e 20 cent. /Betimipërdrejtësi