10-08-2025

Prizreni – buxhetin si Zvicra, e zhvillimin si Bangladeshi

Nga Asllan Bekteshi / Prizren

Me një “inat”pozitiv, pashë dje pamjet e përurimit të një nënkalimi atraktiv në Malishevë.

Pamjet tregonin një transformim të plotë dhe moderist të këtij fshati (para lufte) i cili sot ngjanë në një qytezë për lakmi, fal kryetarëve vizionarë që ka pasur fatin të ketë kjo komunë, siç ndodhi t’i kishte poashtu vizionarë e të suksesshëm edhe komuna e Ferizajt, Suharekës e ndonjë qendër tjetër e Kosovës.

“Inati” im pozitiv me Malishevën kishte shkak Paralizën që ka zënë Prizrenin, mbetur në vend që nga koha e Turkisë dhe Serbisë së Vjetër ( nëse zhvillim nuk quajmë ndërrimin e kalldrëmit, i cili nga çdo kryetar i deritashëm, herë hiqet herë shtrohet, tash e 20 vjet kryesisht duke u sjell rreth Shatërvanit.

Edhe kryetari aktual Shaqir Totaj, u kishte premtuar tunel dhe nënkalim, prizrenadëve, por i gënjeu dhe tani në fund të mandatit si “Projekte madhështore” ua shfaq ndonjë rrugë të asfaltuar, ose ndonjë rreth-rrrotullim, me hapësirë të ngjashme të oborreve të shtëpie familjesh modeste.

Kur e mendon buxhetin që ka pas Prizreni ( si komuna ma e madhe e Kosovës pas Prishtinës ) dhe buxhetet e komunave si Ferizaj, Suhareka apo Malisheva, tërësisht të transformuar me projekte, Prizreni ka qenë Zvicër për shumën e parave që ka pas zotim, por Bangladesh për realizimin e projekteve të reja si zhvillim.

Tani, duke mos pasur çfarë të shfaqin, stafi i marketingut të Shaqir Totajt, në media, rrjetet sociale, jep pamje nga shkëmbi i Kalasë ( gjithmonë natën ) duke shfaq: Urën e Gurit, Xhaminë e Sinan Pashës, Hamamin, Shatërvanin ( Projekte të kohës së Turkisë ) me ndonjë një rrugë të rinovuar e më së shpeshti rrugën kah i bie shtëpia e tij familjare edhe kjo ngjitës me “Shatërvan”-in.

Qyteti i Prizrenit, është shembull që tregon se, asnjë kryetar, asnjë udhëheqës, nuk mund të avancoj apo rritet ( as ai vetë as vendi që udhëheq ) nëse  drejtuesi nuk ka vizion.

Për fat të keq, vizioni u ka munguar të gjithë kryetarëve të deritashëm që kanë qeverisur me Prizrenin.

Autori është profesor dhe gazetar shumëvjeçar nga Prizreni ( ish-korrespondent i Zërit të Amerikës, Rilindjes-Bujkut dhe Zërit )

Lexo edhe:

PRIZREN: Mërgata plaçkitet, inspektorët në pushim!

 

Asnjë koment

Comments are closed.