Prizreni do të ndërtojë 45 shtëpi për skamnorët
Komuna e Prizrenit në vitin 2019 e ka paraparë ta fillojë duke i dalur në ndihmë familjeve skamnore.
Kjo komunë përveç që do të ndërtojë shtëpi për këto familje, këtë vit për herë të parë do të fillojë edhe me renovimin e tyre nëse janë të dëmtuara nga vjetërsia.
E kjo është bërë në bazë të planifikimit buxhetor të Drejtorisë Komunale për Punë dhe Mirëqenie Sociale.
Sipas zyrtarit për Marrëdhënie më Publikun në këtë komunë, Lis Dorambari, për realizimin e këtij projekti janë ndarë 450 mijë euro, ku edhe janë paraparë të ndërtohen 45 shtëpi të reja dhe 50 renovime.
“Projekti “Furnizimi dhe Ndërtimi i Shtëpive për Familjet Skamnore” është në vlerë 300 mijë euro për ndërtimin e shtëpive, ndërsa projekti i ri për renovimin e shtëpive dhe banesave do të ketë vlerë 150 mijë euro, pra në total janë ndarë 450 mijë euro për këtë kategori. Në bazë të parashikimeve tona do të ndërtohen rreth 45 shtëpi të reja dhe 50 renovime, por gjithsesi pas përfundimit të afatit të aplikimit komuna do të formojë një komision vlerësues”, tha Dorambari për KALLXO.com