Prizreni gjatë Ramazanit
Në Prizren, sikur edhe në Kosovë dhe në komunitetin botëror myslimanë, sot ka nisur muaji i Ramazanit – muaji i agjërimit.
Ky është muaji i shenjtë, muaj i mëshirës. Nga minaretë e xhamive të shumta të qytetit, por edhe të fshatrave, thirrja e ezanit shënon fundin e agjërimit, përgjatë të cilit agjëruesit largohen nga ushqimi dhe çdo kënaqësi tjetër trupore, duke iu afruar bamirësisë dhe adhurimit të Zotit.
Prizreni është qendër me 76 vendbanime, që ka edhe komunitete të tjera. Shumicën e përbën komuniteti mysliman me 94 për qind shqiptarë, boshnjakë, turq, romë dhe ashkalinj, si dhe pesë për qind katolikë shqiptarë dhe një për qind, serbë ortodoksë.
Në këtë qytet, harmonia tradicionale ndërmjet besimeve ndjehet veçanërisht në këtë muaji, që tashmë si festë fetare po merr ngjyrimin e një ngjarjeje shoqërore, rreth së cilës bashkohen të gjithë.
Magjia e natës së Ramazanit fillon me iftar, rreth tryezës së të cilit afrohen të gjithë, qoftë në familje apo farefis apo në shoqëri e kolektive punuese.
Nëpër xhami do të organizohen ligjërata dhe bashkëbisedime. Kështu do të jetë edhe në Xhaminë monumentale të Sinan Pashës, që ndodhet në qendër të qytetit.
Nga Bashkësia Islame, institucione dhe organizata të tjera si zakonisht do të shtrohen iftare. Në këtë muaj të Mëshirës asnjëri s´do të ngelet i uritur.
Nëpër furrat e këtushme krijohet një atmosferë tejet e veçantë. Kjo përsëritet qysh para kohës së iftarit dhe syfyrit. Nata bëhet e madhërishme e që zgjat deri në syfyr. Dita në këtë muaj (pos atyre që janë të angazhuar në institucionet publike) fillon më vonë.
Autoritetet fetare dhe ato politike në Prizren ua kanë uruar të gjithë besimtarëve myslimanë muajin e shenjtë, duke u dëshiruar agjërim të lehtë dhe duke bërë thirrje për rritjen e solidaritetit.
Edhe portali informativ “Gazeta e Prizrenit.net” ua uron muajin e Ramazanit, që zgjat deri më 15 qershor. Dita e parë e Fitër Bajramit është me 16 qershor./Gazeta e Prizrenit.net/