Prizreni i ‘pushtuar’ nga vizitorët, por Komuna nuk ka kompani për ta pastruar qytetin
Janë bërë 7 muaj që kur komuna e Prizrenit nuk ka kontratë me asnjë kompani për menaxhim të mbeturinave.
Si rezultat i kësaj, qyteti në ditët e verës, kur e ka fluksin më të madh të vizitorëve, është i mbushur me mbeturina, raporton KTV.
Kjo gjendje po konsiderohet alarmante nga shoqëria civile, për të cilën, qeverisja aktuale duhet urgjentisht të marrë masa, pasi që Prizrenit i ka humbur tashmë imazhi i qytetit më të pastër në Kosovë.
E shqetësuar me këtë gjendje po deklarohet edhe opozita në këtë komunë, e cila thotë se kryetari Mytaher Haskuka ka dëshmuar që moti dështimin e tij për të qeverisur.
Opozita po ashtu, akuzon Haskukën që nuk po merr masa në parandalimin e hapjes së deponive ilegale në këtë qytet.
Se Prizreni është i mbushur me mbeturina e pranon edhe kryetari Haskuka, por fajin për këtë ua gjuan opozitës e cila sipas tij, së bashku me OSHP-në kanë penguar që të zgjidhet një kompani me çmim më të volitshëm për menaxhim të mbeturinave.
Haskuka thotë se në vazhdimësi do të punojë në parandalimin e hapjes së deponive ilegale të mbeturinave, derisa ka shtuar se opozita po e pengon për të bërë qeverisje për ndryshim pozitiv në Prizren.