17-08-2025

Prizreni kampion i ankesave në tenderë – lë prapa edhe KEK-un

Në garën e komunave për të qenë të parat, disa matën me projekte, disa me investim, e disa të tjera me numrin e ankesave në tendera. Prizreni, nën drejtimin e Shaqir Totajt të PDK-së, ka zgjedhur këtë pistë të fundit, dhe po e fiton bindshëm.

Në OSHP, emri i qytetit historik po përmendet më shpesh se ai i Prishtinës e KEK-ut, edhe pse këto të fundit menaxhojnë shumëfish më shumë punë e projekte. Dhe rekordi i ri nuk ka të bëjë me turizëm apo kulturë, por me procedurat e prokurimit që po sfidohen nga kompanitë pothuajse sa herë shpallet një tender, shkruan Kujdestari.info.

Kampioni absolut për vitin 2025 të paktën deri më 15 gusht është Komuna e Prizrenit, e udhëhequr nga Totaj. Kështu tregojnë të dhënat qe Kujdestari.info i ka nxjerr nga OSHP.

Me plot 61 ankesa të bëra në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) nga operatorët ekonomikë, Prizreni jo vetëm që ia kalon KEK-ut me 44 ankesa, por edhe e lë shumë pas Prishtinën, megjithëse kryeqyteti ka numër shumë më të madh aktivitetesh dhe projekteve kapitale.

Pra, në një qytet ku nuk zhvillohet as afër volumi i punëve si në Prishtinë, operatorët kanë gjetur më shumë shkas për të ankuar, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e hartimit të dosjeve të tenderëve, kriteret dhe transparencën në procedura.

Në listën e dhjetë institucioneve me më së shumti ankesa ndaj tyre në OSHP për periudhën 1 janar – 15 gusht 2025, pas Prizrenit dhe KEK-ut, vijnë:

  • Komuna e Prishtinës – 33 ankesa
  • Ministria e Infrastrukturës – 33 ankesa
  • Komuna e Podujevës – 24 ankesa
  • Komuna e Lipjanit – 23 ankesa
  • Komuna e Ferizajt – 22 ankesa
  • SHSKUK – 22 ankesa
  • Policia e Kosovës – 21 ankesa

Ky renditje tregon se Prizreni, me gjithë volumin më të vogël të punëve, ka arritur të kryesojë një listë ku normalisht do të prisje të ishin vetëm institucionet që menaxhojnë projekte të mëdha dhe të shpeshta. /Kujdestari.info/

Asnjë koment

Comments are closed.