24-11-2024

Prizreni me numër më të madh të lëmoshkërkusve nga komunat e tjera

Qendra e qytetit të Prizrenit është vërshuar nga lypsarët. Prania e tyre është prezentë edhe nëpër kafehane dhe objekte fetare, e edhe nëpër rrugë. E numri i madh i tyre dhe shqetësimi i qytetarëve ka bërë që Komuna e Prizrenit të mendojë për trajtimin e fëmijëve të cilët detyrohen të kërkojnë lëmoshë. Drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi, thotë për Radio Kosovën se Prizreni ka numrin më të madh të lëmoshkërkusve për dallim nga komunat e tjera të Kosovës, ndërsa shpreh shqetësimin me shfrytëzimin e tyre qoftë nga familja apo individë të caktuar.

“QPS pas identifikimit është marrë me seriozitetin maksimal në zgjidhjen e këtij problemi. Ka ofruar shërbime të shumta që ekzistojnë sipas ligjeve për familjet e fëmijëve, duke përfshirë asistimin në polici, vlerësimin fillestar të rastit, sesione këshilluese individuale e familjare, psikosociale, ka ofruar mundësinë e rikthimit në shkollë, mbikëqyrje të prindërve etj”, thotë Kabashi

Për fat të keq, tha Kabashi, shumica e tyre nuk janë të Komunës së Prizrenit, por kanë ardhur nga komunat e Kosovës, apo Shqipëria. Kabashi tha se përpos QPS komuna ka bashkëpunim edhe me organizata të ndryshme të cilat do e ndihmojnë në hapjen e ‘qendrës ditore’ për trajtimin e lypsarëve.

‘Këtë vit e kemi bërë planifikimin ligjor për krijimin e qendrës ditore, që do punojë 24 orë e do i trajtojë rastet. Çdo lëmoshkërkues do shoqërohet me qendrën dhe do i ofrohen të gjitha programet e mundshme arsimore, qëndrimi, pastrimi e ushqimi, të trajtohet me qëllim që mos t’i jepet mundësia të qëndrojë në rrugë. Kjo bëhet edhe me qëllim që fëmijët mos të ndikohen nga prindërit apo kushdo qoftë që ta shtrijnë dorën e ndihmës. Kur familja sheh që fëmijët nuk po i sjellin para, ndoshta edhe nuk i lejojnë të dalin në rrugë’, thotë ai .

Drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit përmend edhe aksionet e policisë për largimin e lëmoshkëkuesve, të cilat thotë se nuk kanë treguar rezultate./rtk

Asnjë koment

Comments are closed.