Prizreni duket në një atmosferë festive, në prag të ndërrimit të viteve.
Në orët e mbrëmjes duken disa qytetarë, të cilët bëjnë edhe furnizimet e gjësendeve të mbetura, derisa urojnë njëri-tjetrin për një vit të mbarë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Qyteti tashmë është mbështjellë në dekorin e festës. Edhe sivjet shumica e prizrenasve, natën e ndërrimit të vitit do ta kalojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa një numër i vogël, kryesisht ata me gjendje më të mirë ekonomike, pritet që këtë ta bëjnë nëpër lokalet hoteliere, që kanë organizuar mbrëmje muzikore me këngëtarët më të njohur të estradës.
Për dallim nga vitet tjera, kur tradicionalisht ata që ndërrimin e moteve e presin në shtëpi, përcjellin programet televizive, të cilat tashmë përmes rrjeteve kabllore janë të shumta, edhe kësaj radhe një pjesë të kohës, ata pritet ta kalojnë nëpër telefonat e mençur, duke përcjellë rrjetet sociale.
Nuk është njoftuar për ndonjë aktivitet artistik të organizuar nga Komuna. Qyteti kësaj radhe është zbukuruar me dritat e dyqaneve dhe lokaleve, pasi Komuna paratë e stolisjes i kishte dhënë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Derisa për natën e parë ka shumë pak, sipas disa pronarëve të restoranteve, në mbrëmjen e dytë ka më tepër rezervime familjare.
Në kontekstin e festës, autoritetet lokale kanë paralajmëruar marrjen e masave të nevojshme në institucionet kyçe, si polici, emergjencë, zjarrfikësit, etj, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Për shkak të festave të fundvitit, Drejtoria e Shëndetësisë ka marrë vendim që me datat 31 dhjetor 2019 dhe 1-2 janar 2020, Shërbimi Urgjent dhe QKMF të punojë me orar të plotë për 24 orë. QMF 1 (ish ambulanca e stomatologjisë) do të punojë me orar 07:00 -20:00.
Në prag të Vitit të Ri, tashmë është bërë zakon, që nëpër rrugë e sheshe, nga të rinj e fëmijë të hidhen mjete piroteknike. Komuna e Prizrenit ka ndaluar përdorimin e tyre, në vendet e hapura publike përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe. Kjo urdhëresë vlen deri më 15 janar, përveç 31 dhjetorit nga ora 23:00 deri më 01 janar 2020, në ora 01:30.
Në kontekstin e URIMIT, edhe portali “Gazeta e Prizrenit” të gjithë lexuesve besnik, por edhe qytetarëve të tjerë ua uron një vit të mbarë dhe të suksesshëm!
GËZUAR 2020!