24-11-2024

Prizreni në atmosferë festive për “Dokufest” (Foto)

Prizreni është në atmosferën festive të hapjes zyrtare të ngjarjes më të madhe filmike në Kosovë, Festivalit  Ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër  “Dokufest”,  për të cilin organizatorët kanë shprehur mendimin se do të jetë ndër më të mirët, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Në qytet janë shpalosur flamuj dhe materiale tjera paralajmëruese, ndërsa tashmë  në qytet e sidomos afër objekteve historike shihen edhe vizitorë  të rinj, pjesëmarrës në këtë ngjarje javore, që zyrtarisht hapet sot në orën 20:00 dhe zgjat deri më 10 gusht.

Prizreni ka bërë përgatitjet e nevojshme për fillimin e edicionit të 18-të të “Dokufestit” që nga shumë nga kush cilësohet si një “limonadë ”, një pije freskuese lokale e preferuar  nga vendasit,  sidomos gjatë sezonit veror, kur temperaturat janë të larta.

Në mjediset  ku punohet  për  organizimin e festivalit, gjithandej  ka lëvizje e gjallëri, secili në drejtimin e tij. Kinematë tashmë janë ndërtuar, përfshi edhe instilacioni në Kala me mbishkrimin “Truth lies here” – “E vërteta qëndron këtu” që do të qëndrojë aty deri në fund të festivalit.

Fotografia e Dokufest

Para publikut janë zgjedhur të shfaqen 282 filma, mbi 100 do të jenë pjesë e programit garues përmes dokumentarëve të mrekullueshëm si dhe filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale që vinë nga 40 shtete të ndryshme. Po ashtu do të ketë  muzikë e panele të ndryshme ku do të trajtohen tema që kryesisht synojnë fuqizimin e të rinjve në tregun e punës.

Duke zgjedhur TË VËRTETËN si temë të edicionit, DokuFest i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo na ndikon të gjithëve.

Fotografia e RTV BESA

Sipas drejtorit artistik, Veton Nurkollari, nga 2500 filma garues janë përzgjedhur 16 sish që do jenë të garojnë në gjashtë kategori.

Kalaja e qytetit të Prizrenit është një nga destinacionet më të bukura, ndërsa risi këtë vit do të jetë kinemaja mobile, e cila do të udhëtojë në disa lagje më të skajshme të Prizrenit, për ta sjellë festivalin në çdo pjesë të qytetit, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Në këtë edicion do të shfaqen edhe 50 filma për të rinj dhe fëmijë. Sipas përzgjedhësit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda programi i filmit të shkurtër përmban gjithsej 30 filma që janë përzgjedhur gjatë tërë viti. Tema e këtyre filmave do të jetë migrimi, racizmi e çështje gjinore.

Fotografia e Dokufest

Sa i përket garës kombëtare, sivjet janë 11 filma që do të garojnë për çmimin kombëtar dhe çmimin e distribuimit, 5 prej tyre do të jenë premiera botërore që do të shfaqen për herë të parë në DokuFest.

Sivjet programi për fëmijë është zgjeruar në një format më të gjerë, ndërsa për çdo mëngjes prej orës 10:30 deri në 11:30 për fëmijët deri në moshën 14-vjeçare janë paraparë shfaqje speciale, pa pagesë.

Gjatë festivalit do të organizohen edhe panele diskutimi, master class dhe vvorkshope që kanë të bëjnë me film-bërje.

Programi i sivjetmë i fotografisë DokuPhoto, do të shënohet përmes bashkëpunimit me artisten dhe kuratoren Blerta Hoçia, e cila ka krijuar punimin që reflekton temën qendrore të festivalit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë festivalit.

Fotografia e Dokufest

Për këtë edicion janë angazhuar rreth 150 vullnetarë.  Hapja e festivalit bëhet, në Kino “Lumbardhi”.

Për një sistemim sa më mirë të pjesëmarrësve thonë se janë mobilizuar edhe lokalet e këtushme hoteliere, të cilat janë përqendruar në kuzhinën tradicionale pa lënë anash edhe specialitet tjera. Çmimet e dhomës për 2 persona me mëngjes sillen rreth 50 euro.

Me një fjalë festivali premton diçka për të gjithë.  Agron Bytyqi, një i ri prizrenas shprehet se “Dokufest” po shndërron Prizrenin në një epiqendër gjatë verës, pasi ky është një vendtakim për të gjithë në tërë rajonin.

Festivali ndërkombëtar i filmit, përveç organizatorëve të tij ka aktivizuar edhe institucione të tjera lokale, që të ndërmarrin aktivitete të ndryshme për të promovuar vlerat e qytetit të Prizrenit.

Edhe sivjet një pjesë e publikut pritet të jenë nga Prishtina e Tirana. Organizimi i “Dokufestit” mbështet materialisht nga komuna e Prizrenit, Ministria e Kulturës së Kosovës dhe një numër i donatorëve.

Ndryshe, kjo ngjarje kulturore për një javë do të rris edhe qarkullimin në Prizren, duke sjellë përfitime për bizneset e këtushme. /GazetaePrizrenit.net /

P.S Disa foto janë nga “Dokufest”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.