Prizreni nën magjinë e DokuFest
Rrugët e Prizrenit pritet të vërshohen nga turistët e shumtë vendas dhe të huaj të cilët do të vendosen aty për 9 ditë sa zgjatë festivali për të përjetuar një aventurë të re për ta e që padyshim do të mbetet në kujtesën e tyre si një ndër javët më të mbushura në jetën e tyre.
Me kinematë e jashtëzakonshme të cilat janë vendosur në ambiente ku natyra krijon një vend ideal për të shikuar një film dhe përjetuar atmosferën e këndshme të qytetit antik, ju do te keni rastin të shihni filma të mrekullueshëm.
Kalaja e qytetit të Prizrenit është një nga destinacionet më të bukura të këtij festivali, që me pamjen e saj do të ju magjeps e shpalosja e programit në një ambient të tillë do të ju bëj të dashuroheni në gjithë atë që do të përjetoni gjatë këtyre ditëve.
Ky edicion i DokuFest-it na sjell një mori ngjarjesh për të gjitha moshat. Përveç programit të pasur me filma të cilët do të shfaqen në kinematë tashmë tradicionale të festivalit, ju do të bëheni një me performancat muzikore të cilat gjithashtu tashmë i kanë krijuar skena e veta. Muzikë elektronike, eksperimentale e deri te iso-polifonia do të ju shoqërojnë përgjatë 9 netëve të magjishme që po priten me shumë entuziazëm nga adhuruesit e festivalit më të mirë në vend. Ekspozita, punëtorit e masterklasa të ndryshme do të shpalosen për ju gjatë këtyre ditëve që aq sa po i prisni ju, edhe ato po ju presin juve.
Nga 280 filma që do të shfaqen, mbi 100 filma do të jenë pjesë e programit garues përmes dokumentarëve të mrekullueshëm si dhe filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale që vinë nga 40 shtete të ndryshme, kjo është ajo që edhe e karakterizon programin e këtij edicioni.
Ajo që e shquan këtë vit është edhe numri i madh i regjisorëve, filmat e të cilëve do të debutojnë për herë të parë nëpër seksionet e ndryshme garuese të festivalit si dhe regjisorë që marrin pjesë për të disatën herë me radhë.
Duke zgjedhur TË VËRTETËN si temë të edicionit të 18-të të festivalit, DokuFest i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo na ndikon të gjithëve. Me partner të përhershëm ProCredit Bank, DokuFest ju fton t’i bashkoheni këtij udhëtimi shumëngjyrësh mes realitetit dhe fantazisë, gënjeshtrave subjektive dhe të vërtetave objektive – politikës në një botë të globalizuar dhe peizazhit dixhital të së post-vërtetës.
Ndërsa sa i përket shfaqjes speciale për këtë edicion, ne ju tregojmë se filmi “Shkrepëtima” i Petrit Halilajt do të jetë i tillë. Filmi ndjek projektin artistik me po të njëjtin emër i cili një vit më parë ndezi një dritë në komunitetin e fshatit të artistit Halilaj, në Runik. Filmi do të ketë premierën kombëtare në Lumbardh, me datën 08 Gusht dhe do të përcillet me një diskutim mes Petrit Halilaj dhe kuratorit Leonardo Bigazzi.
11 filma të regjisorëve shqiptarë, filmbërësve të rinj premtues si dhe të studentëve janë pjesë e garës kombëtare të DokuFest XVIII.
18 dokumentarë të rinj pjesë e prodhimeve vjetore të DokuLab të cilët shpalosin tregime të guximshme nga një gjeneratë jashtëzakonisht e talentuar, do ta kenë premierën e tyre në Kino Lumi.
Programi i sivjetmë i fotografisë DokuPhoto, do të shënohet përmes bashkëpunimit me artisten dhe kuratoren Blerta Hoçia, e cila ka krijuar punimin që reflekton temën qendrore të festivalit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë festivalit dhe të gjithë jeni të ftuar të merrni pjesë.
Kjo nuk është e gjitha, por ju duhet të shkoni dhe përjetoni nga afër magjinë e këtij festivali për të cilin ne besojmë se ju do të jeni të radhës që do të shkruani një letër kujtimi për gjithë aventurën tuaj në qytetin antik me programin e begatshëm të DokuFest që pritet të shpaloset për ju prej datës 2 deri më 10 gusht në qytetin e bukur të Prizrenit. /KultPlus.com