Prizreni nis procedurat e prokurimit për objektin e ri të shoqatës “Esnaf”, vlera e parashikuar 430 mijë euro
Tetë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal është iniciuar procedura e prokurimit për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do të ndërtojë objektin e ri për nevojat e shoqatës “Esnaf”.
Njoftimi për kontratë, për projektin e titulluar “Ndërtimi i objektit administrativ për nevojat e zejtarëve ESNAF në Prizren” është publikuar të martën nga Komuna e Prizrenit, raporton Telegrafi. Sipas këtij njoftimi, vlera e parashikuar e kontratës është 430 mijë euro, dhe afati për kryerjen e punimeve është 200 ditë. Ndërkaq afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar data 18 nëntor 2024.
“Do të bëhet rrënimi i objektit ekzistues si dhe ndërtimi i komplet objektit të ri”, thuhet në dosjen e tenderit.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe kryetari i Komunës së Prizrenit më 20 shkurt të këtij viti patën nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal 2024 për projekte të investimeve kapitale, respektivisht për zbatimin e projektit të përbashkët “Ndërtimi i objektit administrativ për nevojat e zejtarëve “ESNAF”.
Ndërkaq “Esnaf” muaj më parë pat shprehur kënaqësinë që ky projekt kapital po ec drejt jetësimit në 30-vjetorin e themelimit të shoqatës.
Në njoftimin e “Esnafit” thuhej se objekti i ri, në aspektin arkitektonik do të jetë një gërshetim i tradicionales dhe modernes dhe se do të shërbej si një qendër shumë funksionale.
Shoqata e Biznesmenëve dhe Zejtarëve “Esnaf” është themeluar në vitin 1994, me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik. /Telegrafi/