16-03-2026

Prizreni: Mungesë hapësirash në varreza, problem edhe rezervimi i vendeve nga familjarët – reagon “Eko Regjioni”

Institucionet e Prizrenit janë paralajmëruar për mungesën e vendeve për hapjen e varreve në qytet, duke theksuar se problem mbeten edhe hapësirat e uzurpuara, ku behët fjalë deri në 10 vende, raporton Gazeta e Prizrenit.

Nga kompania “Eko Regjioni” kanë bërë të ditur se para një jave kanë njoftuar Komunën e Prizrenit, Bashkësinë Islame, drejtorin e Inspektoratit të Mirëqenies Sociale dhe Policinë e Kosovës se nuk mund të vazhdojnë hapjen e varreve në qytet, për shkak të mungesës së hapësirave.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë, aktualisht nuk ka vende të lira ku mund të hapen varre të reja.  Ka raste kur qytetarë të ndryshëm kanë uzurpuar hapësira në varreza për familjarët e tyre.

“Kjo sepse nuk ka vende ku të hapet varri. Gjithashtu kemi njoftuar edhe për rastet kur qytetarët kanë uzurpuar hapësira në varreza për familjarët e tyre, dhe në ato vende nuk mund të vazhdojmë me hapjen e varreve, sepse ka raste kur dikush ka uzurpuar deri në 10 vende, ndërsa qytetarët e tjerë nuk kanë ku të varrosen”, konfirmuan nga kompania për portalin Gazeta e Prizrenit.

Nga “Eko Regjioni” theksuan se nuk mund të hapin varre në hapësira të uzurpuara pasi kjo po shkakton probleme me familjarët e tjerë.

Megjithatë, nga kjo kompani njoftuan se puna në fshatra po vazhdon normalisht. Ndërsa në qytet, në rastet kur familjarët gjejnë vende të lira në varreza, hapja e varrit bëhet pa problem, por jo në hapësirat që janë të uzurpuara. / Gazeta e Prizrenit /

 

Asnjë koment

Comments are closed.