Pjesa më e madhe e qytetit të Prizrenit, në veçanti disa lagje, po përballen me reduktime të gjata të energjisë elektrike, të cilat sipas banorëve në disa pjesë shkojnë deri në tri orë, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Në këto ditë dimri, Prizreni i është rikthyer viteve të para të pasluftës, sa i përket gjendjes së furnizimit me energji elektrike, kur mungesa e saj ishte e theksuar, ndërsa reduktimet zgjatnin pa ndonjë orar e mbi tri në terr.
Blerim Gashi, që banon të lagja “Terzimahallë”, thotë se është zhgënjyese dhe e pa tolerueshme një sjellje e tillë që detyron banorët dhe biznesin të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, që në këtë pjesë po zgjasin pa orar, madje me nga dy e tri orë.
Sipas qytetarëve, reduktime ka në pjesën më të madhe të Prizrenit.
Fazli Bytyqi që jeton në “Bazhdarhane”, tha se për mungesë të dritave në mëngjes, në orën 07, ai është detyruar ta nis ditën në rrethanat, të cilat ia kanë kujtuar mungesën e mëparshme të energjisë.
Reduktimet po pengojnë edhe veprimtaritë ekonomike. Rrahman Krasniqi, tha se është e pakuptimtë që pikërisht në kohën kur flitet për fushatë bojkotuese ndaj mallrave të Serbisë, të veprohet në këtë formë, që pengon prodhimin normal në ndërmarrjet vendore.
Për reduktime ndërkaq njoftohet edhe në fshatra të Prizrenit dhe të rrethinës./GazetaePrizrenit.net