Prizreni, qyteti në të cilin s’ndodh asgjë
Shpallja e zgjedhjeve e as paraqitja e kandidaturave për kryetar e këshilltar të komunës, s’janë intriguese për vëmendjen e qytetarit. Për katër vite përveç Lumëbardhit që s’e ka ndalë rrjedhën, Prizreni thuajse s’ka pasur fare kryetar e qeveri lokale.
Paramendoni një qytet me vlerat të përafërta si Prizreni, numri i banorëve, diversiteti etnik e kulturor, trashëgimia kulturore, pozita gjeografike, mundësitë turistike etj. kanë planifikime për 50 vitet e ardhshme se si do të duken. E tek ne, të ngresh këtë pyetje për diskutime është luks ta ëndërrosh e le më të kërkosh, nga kjo qeveri edhe nga kjo opozitë. Idetë zhvillimore e programore, transformuese e afatgjata që do duhet të burojnë nga politika e qytetit, thuajse e kanë humbur peshën në tërësi në këtë qytet, ose nuk ekzistojnë fare. Jeta politike është shndërruar në ambicie të dy tre individëve dhe duartrokitësve që vrapojnë për ndonjë vend punë, apo interes të vogël personal. Kryesitë e partive, degë e nëndegë apo pikat, shumicën sosh nuk i njeh askush, nuk i di askush kush janë e çka bëjnë.
Nëse i sjellim në vëmendje vetes, idetë dhe projektet zhvillimore si: kanalet kilometërshe për ujërat e zeza, projeksionet dhe ndërtimin e rrugëve me katër korsi, rrënimin e objekteve të cilat vazhdojnë ta pengojnë hapjen e rrugëve, ruajtjen e objekteve të banimit të përbashkët dhe asnjë mbindërtim që ishin fenomen në të gjithë Kosovën, shtigjet e ecjes në natyrë dhe parqet, shkarkimi i drejtorëve dhe refleksioni politik për qeverisje më të mirë, investimet kapitale si ndërtimi i shkollave nga të hyrat vetjake, shtëpia e bardhë dhe Lidhja e Prizrenit etj. Ndoshta s’tingëllon mirë, ose mund të ma cilësojnë si nostalgji për qeverisjen e Eqrem Kryeziut, apo subjektiv, shkaku se mbajmë të njëjtin madje dhe të më quajnë subjektiv shkaku se mbajmë të njëjtin mbiemër. Por, pavarësisht cilësimeve, ajo periudhë në rrethana krejt të ndryshme, pas lufte, me buxhet shumë më të vogël, karakterizohej me qarkullim më të madh ekonomik, aktivizëm të fuqishëm qytetar, por edhe me opozitë më të konsoliduar! Prizreni nga ajo qeverisje, mori bazat dhe një dimension të ri politik, zhvillimor dhe administrativ. Madje, ishte qeverisja lokale më atraktive për t’u vizituar krahas me Qeverinë qendrore. Qyteti ishte atraksion për turistët vendor e ndërkombëtarë.
Kjo qeverisje sot, as nuk arrinë t’i mirëmbajë, t’i zhvillojë e as ti projektojë në një dimension më të lartë. Nuk mund të mbahet mend bravari ose mirëmbajtësi i derës, por mjeshtri që e ka punuar derën. Por kjo qeverisje e VV-së në Prizren s’do mbahet mend as si mirëmbajtëse, sepse me vite dështuan në mirëmbajtjen e rrugëve dhe parqeve, ndriçimit publik, kontejnerëve të mbeturinave, pastrimit të rrugëve etj. Kjo qeveri më së paku e ka idenë se si do të duhej të duket qyteti, madje as sot pas katër vitesh qeverisje.
Shkruar nga, Ismet KRYEZIU
(Ismet Kryeziu është drejtor ekzekutiv në KDI, ky opinion është individual dhe nuk reflekton qëndrimin e organizatës)/Gazeta Blic