Prizreni rikonfirmon shkallën e njëjtë tatimore për ndërtesat e paluajtshme
Sipas përfaqësuesve të Drejtorisë së Financave, kjo nënkupton se dispozitat e njëjta për tatimin në pronë, përkatësisht për objektet e paluajtshme do të zbatohen edhe në vitin fiskal 2019. Ndërkaq për tatimin në tokë është thënë se do të zbatohen normat më të ulëta që i parasheh ligji i ri i tatimit në pronë, shkruan sot Koha Ditore.
“Me këtë vendim rikonfirmohen baza tatimore dhe norma tatimore në pronën e paluajtshme të përcaktuara në nenin 1 dhe 4 të Rregullores së Kuvendit të Komunës nr.01/011-219796, të datës 24 dhjetor 2015, të cilat do të zbatohen edhe në vitin fiskal 2019. Pra, ndryshime nuk do të ketë sa u përket objekteve të paluajtshme, meqë normat tatimore do të jenë të njëjta. Ndërsa te tatimi në tokë, norma tatimore do të jetë më e ulëta që lejohet me ligj”, ka shpjeguar Islam Osmankaj nga Drejtoria e Financave para këshilltarëve të KK-së së Prizrenit.
Por këshilltari i PDK-së, Shukri Quni, ka kërkuar që shkalla tatimore të lehtësohet për mërgimtarët, duke marrë parasysh faktin se ata pronat rezidenciale i shfrytëzojnë vetëm gjatë kohës së pushimeve.
Ndërkohë grupet e këshilltarëve të subjekteve të ndryshme kanë konfirmuar përkrahjen për miratimin e këtij propozim-vendimi.