Prizreni shënon Ditën e Flamurit. Sikurse në të gjitha viset shqiptare edhe në Prizren sot shënon 28 Nëntori, Dita e Flamurit dhe 106 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan “GazetaePrizrenit.net.
Në kontekstin e kësaj dite janë paraparë aktivitete të ndryshme.
Aktiviteti kryesor mbahet në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” në orën 14:00, nga Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me shoqatën “Jetimat e Ballkanit” për dorëzimin e çelësave të 28 shtëpive për familjet me nevojë, për të cilën Prizreni ka kontribuuar me ndërtimin e 20 shtëpive. Në ceremoni merr pjesë edhe Kryeparlamentari Kadri Veseli.
Në kuadër të aktiviteteve festive në ora 12:00 dhe 13:00 do të shfaqen filma dokumentar për fëmijë në “Dokukino”.
Në orën 14:45 mbahet ora letrare në kuadër të takimeve letrare “Muzgjet e Prizrenit” në SHKA “Agimi” të Prizrenit, ndwrsa në orën 17:00 do të hapet ekspozita “Restrospektivë” e Luljeta Gorancit.
Pos tyre, janë paraparë edhe aktivitetet muzikore, të cilat nisin në orën 20:00 me mbrëmjen koncertale, në shtëpinë e kulturës, ndërsa përfundojnë në orën 22:00, me koncertin nga Dren Abazi & Zig Zag Orchestra në Kino Lumbardhi. /GazetaePrizrenit.net/