Prizreni shpreson në ndihmën e Beratit për aplikim në UNESCO
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit unanimisht kanë miratuar vendimin për binjakëzimin e kësaj komune me Bashkinë e Beratit.
Në këtë mënyrë sipas autoriteteve lokale plotësohet trekëndëshi i bashkëpunimit Prizren, Berat (Shqipëri) dhe Amasja (Turqi), shkruan sot “Koha Ditore”. Madje lidershipi komunal është optimist se Berati e Amasja do të ndihmojnë në ecjen e Prizrenit drejt listës së UNESCO-së.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka paraqitur kërkesën për miratimin e nismës për bashkëpunim komunal ndërkombëtar të Prizrenit me Bashkinë e Beratit.
“Qëllimi i bashkëpunimit është zgjerimi i shkëmbimeve dhe eksperiencave në sektorët e kulturës, ekonomisë, turizmit, trashëgimisë, me qëllim për të dhënë një kontribut për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet qyteteve”, shkruan në kërkesën e tij.