15-11-2024

Prizrenin e ‘mbulojnë’ problemet, ku je o kryetar?!

Ankesa të shumta ka sidomos në komunat e mëdha, që tërheqin edhe investime më shumë. Jo vetëm për infrastrukturën, por edhe për sektorë të tjerë, ka kritika dhe ankesa nga qytetarët apo organizatat e shoqërisë civile dhe opozita. Komuna e Prizrenit është njëra nga komunat ku tashmë qytetarët e kësaj komune vazhdojnë ankesat.

Kështu, njëri nga rastet e rënda të komunës së Prizrenit është ai i lypsarëve. Qytetari Bashkim Rakaj tha për gazetën “Kosova Sot” se duhet të rrisim vetëdijen që përmes numrit pa pagesë të ftohen policët dhe të largohen ata nga shërbimet publike. Ndërkohë Erolina Morina pyeti se cilat politika zhvillimore i ka Komuna e Prizrenit për punësimin e të rinjve. Ajo mendon se kjo komunë ende nuk arriti të bëjë asnjë strategji sa i përket punësimit të të rinjve. Ankesa në adresë të Komunës ka edhe Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren. Të dielën ka shprehur pakënaqësinë për mënyrën e administrimit të thirrjes për subvencione në kulturë për vitin 2019 nga ana e Komunës së Prizrenit. Ky rrjet ka vlerësuar se Qeveria lokale është treguar jotransparente sa i përket mënyrës së përzgjedhjes dhe rezultateve finale të thirrjes për subvencione për kulturë për këtë vit, pastaj se ka injoruar RrOK-un në proces, sikurse që nuk i ka respektuar as kriteret e thirrjes së vet. 52 projekte kanë marrë sivjet përkrahjen e Komunës, e cila nuk i ka treguar shumat. Vitin e kaluar kishin qenë 51 projekte që ishin përkrahur me 70 mijë e 500 euro. Organizatat anëtare të RrOK-ut praktikën e fundit të Komunës së Prizrenit e kanë cilësuar si kthim në pikën zero, sa u përket rregullimit dhe zhvillimit të sektorit të kulturës, si dhe të transparencës radikale, që, sipas tyre, kanë qenë zotime të shprehura nga Ekzekutivi komunal.

Ankesa ka edhe për rrugët e prishura. Kuvendari Ilir Baldedaj pohon se në shumë rrugë në qytetin e Prizrenit janë në gjendje të keqe. Ata që po e pësojnë më së keqi janë qytetarët që enden çdo ditë rrugëve të qytetit historik të Kosovës. Qytetarët po kërkojnë nga kryetari Mytaher Haskuka që të ndërmarrë masa. Kërkesa e fundit është adresuar gjatë ditës së djeshme.

“Kjo gropë ka javë që është dëmtuar dhe është shumë e thellë. Ju jemi mirënjohës nëse mund të intervenoni në risanim”, thuhet në kërkesën e një banori adresuar Komunës, nga ku e ka shoqëruar me një fotografi. Po ashtu, është raportuar për gropa edhe në një tjetër rrugë.

“Kjo rrugë në lagjen “Bazhdarhane” në Prizren është në gjendje shumë të keqe dhe shqetësuese për ne si banorë të kësaj lagje”, thuhet në kërkesën e banorëve, pastaj rruga që vjen nga rrethrrotullimi i “Bazhdarhanes” dhe që shkon tek rruga “Qazim Berisha”, është e dëmtuar te banesat e kuqe dhe te udhëkryqi i parë”, thuhet ne ankesën e banorëve.

Qytetarët kanë raportuar edhe për një pjesë tjetër të rrugës, e cila është në gjendje shumë të keqe.(Kosova Sot)

Asnjë koment

Comments are closed.