Prizrenit i shtohet një specialiste e re në fushën e Anesteziologjisë, Dr. Arijeta Temaj
Prizrenit i shtohet një kuadër i ri shëndetësor, pasi Dr. Arijeta R. Temaj përfundoi me sukses specializimin në anesteziologji.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka përfunduar me sukses provimin specialistik në anesteziologji Temaj, me origjinë nga Kushnini i Hasit, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Ajo është shprehur se ky sukses është rezultat i viteve të tëra përkushtimi, sakrifice dhe përgjegjësisë së jashtëzakonshme që mbart profesioni i anesteziologut.
Ndërkaq, kryetarja e Shoqatës së Anesteziologëve të Kosovës, Dr. Agreta Gecaj-Gashi, e cila ishte kryesuese e komisionit të provimit, e ka vlerësuar lart këtë sukses, duke i uruar arritje të larta në shërbim të pacientëve dhe në përmirësimin e sistemit shëndetësor.

Kjo arritje përbën një sukses të rëndësishëm jo vetëm për Dr. Temaj, familjen, por edhe për rajonin e Hasit. Veçanërisht është inkurajuese rritja e numrit të femrave në fusha të rëndësishme si mjekësia specialistike, duke shërbyer si model për të rejat e kësaj ane.

Kjo është një arritje domethënëse për Hasin, pasi për shkak të shpërndarjes së madhe në mërgim, rinia e kësaj ane është fokusuar kryesisht në ushtrimin e zanatit tradicional dhe bizneseve familjare.
Dr. Arijetës i urojmë suksese të mëtejshme në karrierën e saj profesionale! / Gazeta e Prizrenit /


Lexo edhe:
